MENU
klinika

A do të ketë ndryshim të çmimeve në treg?

Sa vite kursime duhen për të blerë një apartament

14.01.2024 - 13:19

“Është e vërtetë se çmimi i një apartamenti është rritur në Tiranë, qoftë për tu blerë, qoftë për tu marrë me qira. Por a është kjo një gjë e keqe?”

Këtë pyetje shtroi kryetari i bashkisë Erion Veliaj në një videomoesazh të pak muajve më parë, lidhur me bumin e ndërtimeve.

Sipas tij 93% e qytetarëve të Tiranës janë pronarë të banesave, e kjo do të thotë që për këta 93% ky është një lajm shumë i mirë. Kryebashkiaku nuk sqaroi se ku i mbështet këto shifra, e megjithatë ne vendosëm të përllogarisim nëse ky është një lajm i mirë për këtë 7% të supozuar, që nuk kanë banesë në pronësi.

Pyetëm tre të rinj të cilët kanë zgjedhur Tiranën si vendin ku punojnë e do të ndërtojnë jetën, duke llogaritur sa vite kursim do i duheshin për të blerë një apartament.

Kledison Harizaj, 31 vjeç, punon si kamerier në Komunën e Parisit dhe ka një pagesë mujore 40 mije lekë dhe 50% të pagesës, pra 20 mijë i paguan për qiranë.

“Prej tre vitesh e paguaj apartamentin vetë në Selitë, pasi kam zgjedhur të jetoj vetëm. E mendoj shumë herë të kem një shtëpi timen, por me rrogat në Tiranë, e shoh të pamundur“- tregon ai.

Sipas studimeve një person mund të kursej deri në 20% të pagesës mujore.

Me një llogaritje Kledisoni i cili paguhet 40 mijë lekë në muaj si kamarier, do i duheshin 109 vite kursime për të blerë një apartament prej 70 m2 brenda unazës së Tiranës, ku çmimi mesatar është 1,500 euro për m2.

Albina Ruko, 27 vjeç, punon aktualisht si “dealer” në kazino dhe paguhet me një rrogë mujore 65 mijë lekë në muaj. Ajo e ndan qiranë prej rreth 500 eurosh në muaj me motrën.

Albina mund të kursejë 13 mijë lekë çdo muaj, dhe do i duheshin rreth 67 vite për të blerë banesën prej 70m2 në Tiranë.

“E kam menduar shpesh kredinë, por duhet një buxhet paraprak, që banka të të jap kredi, gjë të cilën nuk e mundësoj dot. Ndoshta para 10 viteve ishte më e lehtë të merrje një shtëpi me kredi, por sot çmimet e apartamenteve janë shumë të larta“, – thekson Ruko.

Joana Merja, 26 vjeç, aktualisht punon në industrinë kreative, si menaxhuese projektesh dhe pagesa e saj është 85 mijë lekë në muaj. Me të njëjtën formulë llogaritje si më sipër, Joanës do i duhen 51 vite punë për ta blerë apartamentin.

“Jo të gjithë kemi shtëpi të trashëguara, e kam marrë si të mirëqenë që s’do mundem asnjëherë të blej një shtëpi në Tiranë. Kostot e jetesës janë shumë të larta, mendoj se shtëpia do mbetet një nga ëndrrat e parealizuara të gjeneratës sonë “- përfundon Joana.

A do të ketë ndryshim të çmimeve në treg?

Në korrik të 2023, qeveria rriti deri në 54 % çmimet e referencës për pronat në 32 zonat e Tiranës. Rritja mesatare e çmimeve të referencës në kryeqytet llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror.

Zona me çmimet më të larta të referencës vijon të mbetet ajo e ish – Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1. Me çmimet e referencës të 2016-ës çmimi fiskal i kësaj zone ishte 190,000 lekë për metër katror. Me ndryshimet e fundit çmimi arrin në 228,400 (rritet 38,400 për metër katror).

“Kryesojnë zonat qendrore dhe kërkesa më e lartë është tek pallatet ekzistuese të ndërtuara para viteve 90, pasi edhe pse kanë çmimin e lartë për metër katrorë, është sipërfaqe e vogël, që nuk të rrit shumë në çmim“, – shpjegon Klajdi Memajdini, eksperti i tregut imobilar.

Ai pohon se në këto pesë vite, çmimi është rritur me 40% – 50% në periferi (zona jashtë unazës së madhe) dhe 70% – 90% brenda unazës së madhe, e ndoshta edhe më shumë brenda unazës së vogël.

“Besoj këtë vit nuk do të ketë rritje. Ka ardhur momenti që të ketë një stabilitet çmimi, të paktën për një periudhë të shkurtër kohore“- përfundon ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritja e çmimeve dhe emigracioni

Anaiza: Si po tkurret konsumi në vend


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!