Rreziku i inflacionit dhe sfidat që paraqesin zhvillimet teknologjike ishin fokusi i fjalës së mbajtur nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë në takimin dy ditor “Euromoney”, që bën bashkë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Guvernatori Gent Sejko është shprehur se nga përparimi i shpejtë teknologjik nuk është e përjashtuar as industria financiare pasi përdorimi i të dhënave, i inteligjencës artificiale, i monedhave digjitale dhe inovacioni i sistemeve të pagesave kanë sfiduar praktikat dhe politikat ekzistuese të bankave qendrore.
“Ashtu si çdo zhvillim teknologjik, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimeve të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatshme në momentin që instrumente të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg”, është shprehur Guvernatori në Forum.
Jashtë vëmendjes së diskutimeve nuk kanë mbetur as pasojat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë, të cilat sipas Sejkos kanë shtuar koston për ekonominë e qytetarët, si dhe kanë rrezikuar disa ekonomi edhe të Eurozonës për të rënë në recension. Pavarësisht këtyre sfidave guvernatori ka theksuar se ekonomia e Shqipërisë është e qëndrueshme dhe për vitin 2024 rritja pritet në 3.5%, ndërkohë që shprehu gatishmërinë për masa të tjera shtesë në drejtim të normës bazë të inflacionit me synim uljen e informalitetit.
Forumi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), është një aktivitet i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj.