MENU
klinika

Njoftimi i Policisë

Sekuestrohen 190 bizhuteri floriri dhe një “Rolex” në Kakavijë

04.01.2024 - 11:40

Bizhuteri të shtrenjta, orë dore Rolex dhe para cash janë sekuestruar në doganën e Kakavijës.

Këto orendi, që dyshohet se janë të vjedhura, u gjetën të fshehura në kroskotin e një makine me të cilën udhëtonin dy gjeorgjianë, U.E. 32 vjeç dhe O.G. 36 vjeç.

Këta dy të fundit u arrestuan, ndërsa sendet e sekuestruara nga policia janë 50 unaza, 21 varëse floriri, 12 varëse argjendi, 13 byzylykë floriri, 6 byzylykë argjendi, 53 vathë floriri, 32 medalione, 2 monedha floriri, 1 orë e markës “Rolex”, 1 varëse me perla dhe çelsa për hapjen e dyerve dhe kasafortave.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve u gjetën 6000 Euro të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“PKK Kakavije/Kontrolle të detajuara nga shërbimet e Policisë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Sekuestrohen rreth 190 bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 2 monedha floriri, 1 orë dore e markës “Rolex” dhe çelësa për hapjen e dyerve dhe kasafortave.

Vihen në pranga 2 shtetas gjeorgjianë që kishin fshehur në kroskotin e automjetit, këto bizhuteri, të cilat dyshohen të jenë të vjedhura. Sekuestrohen edhe 6000 euro që u gjetën gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve, në dalje të RSh-së.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije në bashkëpunim me shërbimet e Frontex, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit U. E. dhe O. G., në kroskotin e të cilit u gjetën të fshehura bizhuteri të ndryshme (50 unaza, 21 varëse floriri, 12 varëse argjendi, 13 byzylykë floriri, 6 byzylykë argjendi, 53 vathë floriri, 32 medalione, 2 monedha floriri, 1 orë e markës “Rolex”, 1 varëse me perla dhe çelsa për hapjen e dyerve dhe kasafortave).

Gjithashtu, gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve u gjetën 6000 euro të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me bizhuteritë dhe çelësat.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit U. E., 32 vjeç dhe O. G., 36 vjeç, dy banues në Gjeorgji. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.