MENU
klinika

Ulen kostot e biletave

Shkurtohen udhëtimet ajrore drejt Prishtinës, hapen korridoret e reja

26.01.2024 - 13:40

Udhëtimet ajrore nga Shqipëria në Prishtinë do të reduktohen me 8 – 12 minuta. NATO ka njoftuar se janë hapur korridoret e reja ajrore civile, që lehtësojnë fluturimet drejt dhe nga aeroporti i Prishtinës.

Sipas Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ky zhvillim i ri është rezultat i përpjekjeve të kryera nën një proces të udhëhequr prej saj, që synon normalizimin e trafikut të aviacionit civil në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Linjat e reja do të ndikojnë pozitivisht në aviacionin civil dhe do të ofrojnë përfitime të konsiderueshme, duke përfshirë kohë më të shkurtra fluturimi, konsum më të ulët të karburantit dhe reduktim të ndotjes.

Ndërkohë, sipas ministrit të Infrastrukturës së Kosovës Liburn Aliu, shkurtimi i trajektoreve të fluturimeve për dhe nga Kosova, e bën aeroportin e Prishtinës më konkurrues me aeroportet e tjera në rajon.

Sipas tij, “ulja e kostove të fluturimit jo vetëm që ndikon në uljen e shpenzimeve për linjat ajrore, por gjithashtu kontribuon në uljen e emetimit të gazrave serrë”, një masë që ndihmon në mbrojtjen e mjedisit dhe mbështet praktikat e qëndrueshme në fushën e aviacionit.

Aktualisht janë disa linja ajrore që operojnë me fluturime nga aeroporti “Nënë Tereza” të Tiranës, drejt atij të Prishtinës. Ndërkohë që, përmes aeroportit të Tiranës gjatë vitit 2023 udhëtuan 7.257.634 pasagjerë, numri më i lartë që nga nisja e funksionimit të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Fluturimet shkurtohen me 15 minuta"

Hapen korridoret ajrore Kosovë – Shqipëri