Në emisionin Money në Euronews Albania u analizua funksionimi i monedhës virtuale Bitcoin, nga krijimi deri tek rritja e fuqisë së saj në treg këto 15 vite.
Shqipëria renditet e dyta në rajonin e Ballkanit perëndimor për përdorim të kriptmonedhave, treg i cili arrin në një shifër prej 15 miliardë dollarësh në vendin tonë. Në platformën Chainanalysis, e cila publikon cdo vit raportin global të kriptove, Shqipëria renditet në vendin e 84.
Në vend të parë për zhvillimin më të madh të kësaj industrie është India, e cila ndiqet nga Nigeria, Vietnami, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina, ndërsa në rajon Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet me përdorimin më të lartë të monedhave virtuale.
Ekspertja e kriptovalutave Denisa Kele tha se në Shqipëri numërohen rreth 40 mijë portofole të hapura.
“Sot ne numërojmë deri në 40 mijë portofole të hapura në Shqipëri. Mendohet që të ardhurat që vijnë nga përdorimi i kriptomonedhave në vend, presupozohet të jetë sa 1/3 e buxhetit të shtetit, që është një shumë e konsiderueshme.
Pra, është një aktivitet që përdoret masivisht, si për transferta, por edhe për trading ditor, për ata persona që duan te luajnë në bursë dhe të kenë përfitime ditore”, tha ajo.