Ka nisur sot zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira. Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.
Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.
Si do të llogaritet tatimi 15% për profesionet e lira me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 660,000 lekë fitim të deklaruar në vit. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë është 99,000 lekë.
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 5,560,000 lekë fitim të deklaruar. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë është 834,000 lekë.
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 6,960,000 lekë fitim të deklaruar. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë është 1,044,000 lekë.
Si do të llogaritet tatimi 23% për profesionet e lira me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë
Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.
Deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve ekzistues
Deklarimi i të ardhurave dhe tatimit në burim pas 1 janarit 2024 do të bëhet sipas modelit të formularëve ekzistues.
Pak javë para nisjes të zbatimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” qeveria miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e tij. Akti Normativ përcaktoi se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Kontabilistët thanë se ndryshimet do të çorodisin më tepër biznesin në zbatimin e ligjit dhe ngarkojnë me kosto shtresë administrative.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë pohoi se ndryshim i ligjit për përdorimin e formularëve të vjetër të deklarimit të të ardhurave dhe të tatimit në burim erdhi nga mosarritje e publikimit në kohë të modelit të ri të formularëve.
Pavarësisht kësaj Financat pohojnë se pritet të mos ketë asnjë vështirësi zbatimi nga bizneset që tashmë janë mësuar të plotësojnë deklarimin e të ardhurave me formularët ekzistues.
Akti Normativ shtyu nga 1 janari 2025 edhe afatin e zbatimit të normës tatimore progresive për të ardhurat e tatueshme nga punësimi. Konkretisht pika 1 e nenit 24, që përcakton tatimin 23% për të ardhurat e punësimit mbi 2,040,000 lekë në vit, do të nisë zbatimin nga 1 janari 2025.
Ministria e Financave shpjegoi se në thelb baza tatimore mbetet e pandryshueshme për të ardhurat e të punësuarve, ndërsa ndryshimi i afatit është në funksion të afatit për përdorimin e modelit të ri të formularëve për deklarimin e të ardhurave.
Marrë nga Monitor.al