MENU
klinika

Sipas “TGCom”...

Si Shqipëria po shndërrohet në ‘parajsën’ e pensionistëve italianë!

24.01.2024 - 19:12

Sipas “TGCom”, në Itali jeta është shumë e shtrenjtë dhe pensionistët brenda një viti, arrinin të kursenin 5 mijë euro. Ndërsa tani me ardhjen në Shqipëri, ata kursejnë 25 mijë euro në vit.

Shqipëria është shndërruar në parajsën e pensionistëve italianë, të cilët mesa duket kanë gjetur në vendin tonë një mënyrë për të shijuar ditët e pensionimit.

“Mirë se erdhe në Shqipëri , kjo është parajsa e pensionistëve italianë ”, kështu e mirëpriti, Carmine Iampietro, kreu i Shoqatës së Pensionistëve Italianë në Shqipëri korrespondentin e emisionit, “È sempre Cartabianca”, i cili mbërriti në Durrës për t’u takuar me një grup italianësh që kanë zgjedhur të zhvendosen në qytetin bregdetar.

Një pensionist italian në një intervistë për “TGCom24”, tregoi sesi me zhvendosjen e vendbanimit dhe me anë të marrëveshjes së re për pensionet që kanë arritur dy vendet, ata mund të përfitojnë duke qendruar në Shqipëri 1 mijë e 500 euro, nga 1 mijë e 150 euro që merrnin nëse do të ishin në Itali.

“Ka një konventë dypalëshe mes dy kombeve, sipas së cilës Italia, duke zhvendosur vendbanimin këtu dhe duke qendruar më shumë se gjashtë muaj në vit në Shqipëri, detyrohet të japë pensionin bruto, 1500 euro në muaj, krahasuar me 1150 euro që merrnim më parë”, tha për “TGCom24”, pensionisti italian, i cili është zhvendosur të jetojë në Shqipëri.

Më tej, një tjetër pensioniste shtoi se shpërngulja drejt Shqipërisë ka rritur kursimet e tyre. Sipas saj, në Itali jeta është shumë e shtrenjtë dhe se në vit mezi arrinin të kursenin 5 mijë euro. Ndërsa tani me ardhjen në Shqipëri, ajo deklaron se kursejnë 25 mijë euro në vit.

“Duke bërë disa përllogaritje, këtu mund të kursejmë deri në 25 mijë euro në vit. Në Itali, nëse arrinim të kursenim pesë mijë euro, ishte një mrekulli”, tha një tjetër pensioniste, e cila u vendos me bashkëshortin e saj.

Sipas rrëfimeve të pensionistëve italianë, nuk është vetëm portofoli që përmirësohet, por edhe cilësia e jetës.

Ata deklarojnë se në Shqipëri, kostoja e mallrave dhe e shërbimeve është shumë më e ulët, kështu që ata kanë mundësi të kënaqen me disa ushqime dhe aktivitete shtesë që s’arrinin dot t’i shijonin po të ishin në Itali si: aperitivë, SPA, kurse kërcimi të Amerikës Latine dhe darka nëpër restorante.

“Një pjatë spageti me fruta deti kushton shtatë euro e gjysmë, një pjatë e mrekullueshme e skuqur e përzierë kushton më pak se dhjetë euro”, shpjegon Isabella Ruggeri, e cila punon në një agjenci që merret me transferta jashtë vendit, e cila shtoi se që nga pandemia, rreth dy mijë pensionistë kanë mbërritur këtu në qytetin e Durrësit për të shijuar paratë e pensionit.