Sulmi izraelit rrezikon që Libani të përfshihet në konfliktin ushtarak të Lindjes së Mesme dhe bashkë me të edhe Irani…
Forcat izraelite kryen sot sulme me raketa në afërsi të Bejrutit, kryeqyteti i Libanit. Në ato sulme, u vra nënkryetari i byrosë politike të Hamasit, Saleh Al-Aruri, gjë që u konfirmua nga militantët palestinezë. Ky është pikërisht shkaktari që mund të çojë në një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme. Grupi militant libanez Hezbollah tani po kërcënon me hakmarrje kundër Izraelit, për shkak të një sulmi në territorin e Bejrutit zyrtar.
Kush është Al-Aruri?
Al-Aruri njihej si një njeri i përfshirë thellësisht në çështjet ushtarake të Hamasit. Me bazë në Liban, Al-Aruri, 57 vjeç, ishte nënkryetari i Byrosë Politike të grupit terrorist dhe konsiderohej udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Bregun Perëndimor.
Zyrtarët izraelitë besojnë se Al-Aruri ndihmoi gjithashtu në planifikimin e rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve izraelitë në qershor 2014, si dhe shumë sulme të tjera ndaj Izraelit. Ai kreu disa dënime në burgjet izraelite dhe u lirua në mars 2010.
Më vonë ai u transferua në Stamboll, por u detyrua të ndryshonte adresën e tij të banimit përsëri kur Izraeli qetësoi lidhjet me Turqinë, të cilat u ndërprenë nga një sulm ushtarak izraelit ndaj një flotiljeje me destinacion Gazan, që vrau nëntë shtetas turq.
Pasi kaloi ca kohë në Siri, Al-Aruri përfundimisht u zhvendos në Bejrut. Nga atje, ai menaxhoi operacionet ushtarake të Hamasit në Bregun Perëndimor. Ai ishte gjithashtu një nga zyrtarët e Hamasit më të lidhur me Iranin dhe grupin terrorist Hezbollah në Liban.
Atje, Al-Aruri krijoi forcat lokale të Hamasit nga aktivistët në kampet e refugjatëve libanezë. Grupi ka trajnime ushtarake dhe një arsenal raketash, edhe pse jo në të njëjtën masë si Hezbollahu.
Ai vdiq kur një dron izraelit goditi zyrën e Hamasit në periferinë jugore të kryeqytetit të Libanit – Bejrut, duke vrarë disa njerëz, njoftoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve.
Përgjigjja e Hezbollahut
Për shkak të këtij sulmi dhe vrasjes së Al-Arurit, grupi militant libanez Hezbollah tha se vrasja e zyrtarëve të lartë të Hamasit në Bejrut përfaqësonte një “sulm serioz ndaj Libanit” dhe një “zhvillim të rrezikshëm” në luftën me Izraelin.
“Ky krim nuk do të mbetet pa përgjigje. Ne u jemi besnikë parimeve dhe detyrimeve tona që i kemi dhënë vetes. Kjo është një ditë që do ta kujtojmë”, tha Hezbollah në ‘Telegram’.
Grupi militant palestinez Hamas konfirmoi më parë se Al-Aruri dhe dy udhëheqës të brigadave të tij elitare Al-Qassam u vranë në një sulm izraelit në periferi të Bejrutit.
Gjithsej gjashtë persona u vranë në sulmin që goditi objektet e Hamasit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende për sulmin.
Megjithatë, që nga fillimi i konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit më 7 tetor, grupi libanez Hezbollah ka kërcënuar se do të hyjë drejtpërdrejt në konflikt. Kjo nuk ndodhi tani, por forcat e Tel Avivit dhe Hezbollahut shkëmbyen zjarr përtej kufirit.
Por rreziku i përshkallëzimit nuk ka qenë kurrë më i madh se tani.
Fuqia e Hezbollahut
Ndryshe nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, Hezbollahu nuk është i vendosur në Palestinë, por në Liban.
Duke qenë i lidhur drejtpërdrejt me Iranin, ky grup ka lidhje të thella me grupe të tjera të lidhura me Iranin si Hamasi dhe Xhihadi Islamik. Pas sulmit të ndodhur të shtunën në mëngjes, më 7 tetor, Hezbollah njoftoi se ishte në “kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e rezistencës palestineze”.
Ky grup ka një status tjetër me fuqi të ndryshme – disa vende e kanë shpallur organizatë terroriste në tërësi, disa vetëm krahun e tij ushtarak, dhe ka edhe vende si Rusia dhe Kina që mbajnë kontakte me të. BE e shpalli krahun ushtarak të Hezbollahut një organizatë terroriste, ndërsa Gjermania e bëri plotësisht këtë në prill të këtij viti. Britania e Madhe e bëri vitin e kaluar dhe pak më herët, në 2016-ën, e bëri edhe Liga Arabe.
Hezbollah është një organizatë paraushtarake pro-iraniane shiite libaneze, e cila u krijua në 1982 në përgjigje të hyrjes së Izraelit në Libanin jugor. Pas 18 vjetësh, krahu ushtarak i Hezbollahut (Rezistenca Islame e Libanit) e detyroi Izraelin të tërhiqej në vitin 2000, pas shumë humbjeve që u shkaktuan izraelitëve.