Drejtori i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, Sadri Ramabaja tha përmes një interviste televizive, se ka mundësi që Serbia në 4 javët e ardhshme të ripërsërisë ngjarjen e përpara disa muajve në Banjskë.
Duke vijuar më tej, Ramabaja theksoi se sipas informacioneve nga qarqet diplomatike dhe ato të sigurisë vëmendja është e përqendruar në veri dhe se pa ndëshkuar autorët e sulmit të 24 shtatorit rreziku për një ngjarje të ngjashme ekziston gjithmonë.
“Ky është shqetësimi real. Serbia në 4 javët e ardhshme ka gjasa që ta ripërsërisë Banjskën dhe të jetë ndoshta sprova më e madhe në fushën e sigurisë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin. Këtu duhet të jenë kambanat e alarmit. Stoltenberg, por edhe ekspertë të tjerë të sigurisë kanë paralajmëruar qartë që rreziku i Serbisë është në rritje.
Nuk ka informacione publike, por në qarqet e sigurisë dhe në qarqet diplomatike gjithnjë vëmendja është e përqendruar në veri.
Serbia mund të provokojë dhe në zona të tjera, por edhe në format e luftës hibride që në një mënyrë ose në një tjetër mund të shpërthejnë në luftë reale.
Beteja për t’iu kundërvënë vendimit të Bankës Qendrore për dinarin është thjesht për të humbur vëmendjen për atë që pritet në fushën e sigurisë.
Kambanat bien për çështje të sigurisë. Kur siguria kalon në rend të parë çështja e dialogut mbetet për periudha të tjera. Në Kosovë nuk është tejkaluar rreziku për shkak se nuk janë dënuar ata që kanë marrë veprimin e agresionit terrorist të 24 shtatorit.
Brukseli zyrtar nuk ka vepruar konform situatës së krijuar. Sa kohë nuk kemi dënim të 24 shtatorit mundësia e përsëritjes së tij mbetet reale.”, tha Ramabaja
Sipas Ramabajës takimi i Kurtit me krerët e partive politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk duhet parë si ndërhyje.
“S’kemi të bëjmë me ndërhyrje të VV pasi ka qytetarë që mbështesin parimin filozofik të VV. Ata do të jenë atje pjesë e listave të votuesve, e partive ekzistuese në RMV.
Zhurma se ka ndërhyrje është propagandë me qëllime jo të shëndetshme politike.”, përfundoi Rambaja.