MENU
klinika

Moti i paqëndrueshëm

Sinoptikanja Lajda Porja zbulon ‘surprizat’ për priten të ndodhin gjatë javës

15.01.2024 - 11:23

Pas një fundjave të ftohtë dhe me diell, e hëna ka sjellë një tablo krejtësisht ndryshe të kushteve atmosferike.

Sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thekson se kjo javë do të jetë me temperatura më të larta në krahasim me fundjavën që lamë pas, por reshjet e shiut do të vijojnë të jenë prezente në territorin e vendit gjatë ditës së sotme.

‘Zonat e ulëta shënojnë 5 gradë e deri në 9 gradë vijat bregdetare. Moti është i paqëndrueshëm. Reshjet kanë nisur në veri dhe në qendër, edhe pse janë në sasi të pakëta. Pritet intensifikimi i reshjeve në pjesën e dytë të ditës, ku do të ketë rrebeshe shiu në formë shtrëngatash, kryesisht në veri dhe në jug të vendit. Janë qytetet veriperëndimore, Shkodra, Lezha, Laçi. Gjithashtu, problematike do të paraqitet Vlora, Gjirokastra, Saranda, Përmeti, të cilat do të jenë edhe qytetet, të cilat do të kenë edhe reshje që do të jenë herë pas here dhe intensive. Reshje disi më të pakëta parashikohen në zonat qëndrore. Në zonat veri dhe veri-lindore do të ketë reshje dëbore dhe parashikohet që reshjet më të dendura të bien në qarkun e Kukësit, juglindja do të ketë reshje disi më të pakëta.’, tha ajo për Klan News.

E marta dhe e mërkura do të paraqitet me mot të kthjellët, ndërsa e enjtja dhe e premtja do të sjellin sërish reshje, të cilat në këto ditë priten me intensitet më të lartë se sot.

‘Parashikohet që nga nesër të kemi rritje të temperaturave, duke bërë që reshjet, edhe pse do të jenë prezente në pjesën e parë të ditës, të jenë reshje shiu. Parashikohet të mos ketë reshje dëbore, duke përjashtuar vetëm majat e maleve. Reshjet do të jenë të pakëta. Të martën dhe të mërkurën, do të kemi kryesisht mot të qëndrueshëm, kthjellime dhe vranësira, por pa reshje. Të enjten dhe të premten rikthehen reshjet, ku do të kemi një tjetër episod, pasi do të ketë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të territorit, megjithatë duhet thënë se kjo javë edhe pse do të jetë me reshje, do të jenë e ngrohtë pasi temperaturat do të jenë të larta. I gjithë territori pothuajse, do të kalojë në vlera pozitive duke filluar nga e marta dhe deri të premten.’, tha Porja.