MENU
klinika

Opozita paralajmëron kaos

Sot seanca e parë në Kuvend për 2024, miratohen ndryshimet e kabinetit qeveritar

15.01.2024 - 10:33

Ligjvënësit lanë pas një sesion mes kaosit, flakadanëve dhe disa nismave ligjore që presin 84 vota.
Sot deputetët i kthehen punimeve të kuvendit të Shqipërisë në seancën e parë për 2024 me një rregullore të re disiplinore me përjashtim deri në 60 ditë.

Në orën 17.00 kryetarja Lindita Nikolla do të hap seancën me agjendë miratimin e dekreteve të presidentit për ndryshimet në kabinetin qeveritar, me shkarkimin e Elva Margaritit, si Ministre e Kulturës dhe Ervin Mete, si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe emërimin e këtij të fundit si Ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ligjvënësit lanë pas një sesion mes kaosit, flakadanëve dhe disa nismave ligjore që presin 84 vota. Peng i bashkimit të kartonëve janë amnistia penale, rritja e pagave për “Kushtetuesen” dhe zgjedhja e avokatit të ri të popullit por edhe reforma zgjedhore.

Situatës së kaluar përgjigjen ia dha kryeministri Edi Rama pas mbledhjes dy ditore në Shëngjin. Ai tha hapur se mungesa e 84 votave nuk janë kusht për reformat dhe se socialistët do ta gjejnë një alternativë për të ligjet me shumicë të cilësuar.

Si organizatori i kaosit të sesionit të kaluar Sali Berisha do ta ndjekë seancën plenare nga ekrani i televizionit teksa gjykata e posaçme e ka vendosur në masën arrest në shtëpi për korrupsion në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Pritet që me largimin e Berishës nga karrigia e kuvendit, Lulzim Basha të kthehet në ulësen e tij teksa ka edhe 3 projektligje të depozituara, dhe roli i tij pritet të zbulohet në këtë sesion të ri parlamentar.

Në 3 muaj aksion në parlament, 29 deputetë të opozitës u përjashtuan. Më i ndëshkuari prej tyre rezulton Gazment Bardhi, ndërsa ndiqet nga Flamur Noka që rrezikon edhe përjashtimin 60 ditor për shkak të seancës së fundit të vitit të shkuar. Opozitarët kanë paralajmëruar që kaosin do ta vijojnë edhe në sesionin e ri.