MENU
klinika

"Nuk është zgjidhje"

Sula kritikon Berishën për protestat e militantëve poshtë ballkonit të tij: Duhet t’u dalë t’u kërkojë të ikin!

10.01.2024 - 19:42

Deputeti Dashnor Sula i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv ku foli për propozimin e bërë nga deputeti Gazment Bardhi i cili në një intervistë ditën e djeshme në Report Tv tha se duhej një koalicion i gjerë opozitar. Në komentin e dhënë për deputeti tha se as Berisha dhe as Basha nuk janë zgjidhja për PD-në.

Mes të tjerash, teksa u pyet nëse do të merrte pjesë në protestat që po bëjnë militantët e Sali Berishës poshtë banesës së tij ku po mbahet në arrest shtëpie, Sula e mohoi kategorikisht diçka të tillë dhe i cilësoi protestat si diçka që nuk sjell asnjë zgjidhje.

“Unë mendoj se çdo lloj forme e protestës së opozitës ka vlerë. Por nuk jam dakord dhe nuk mendoj se është zgjidhje të shkohet poshtë rrugës ku është Berisha i cili ka atë masë sigurimi, për të cilën ne jemi shprehur se ishte në shkelje të procedurës. Por shtoj pyetjen, më mirë ishte me atë masë sigurie që mund të shkonte një herë në 2 javë tek SPAK-u e të bëjmë atë opozitë që duhej, apo kjo që ka sot? Mua më ndajnë shumë gjëra me Berishën, në raport sesi u bë opozigta gjatë këtyre 2 viteve. Në çdo vend normal drejtuesi i opozitës që humbet zgjedhje, jep dorëheqjen. Ndërsa këtu ka 2 vite që opozita po hahet mes vetes dhe Edi Rama qëndron në pushtet pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë”- tha Sula.

Ai pati edhe një kritikë për kreun e Rithemelimit, duke thënë se Berisha duhet t’u bëjë thirrje personave që mblidhen poshtë banesës së tij që të protestojnë nëpër fshatat dhe qytetet ku jetojnë për situatën e vendit.

“Unë e kritikoj Berishën, duhet t’u dalë atje tu thotë ikni. Dilni në fshat e qytet 24 orë, jo të rrinë aty poshtë banesës së tij”- shtoi Sula.

Ndërsa gazetari Poli Hoxha e konsideroi thirrjen e Bardhit për koalicion të gjerë opozitar si një shpikje të tij pasi grupi i deputetëve që u distancua nga Basha ende nuk ka gjetur vendin e tyre në opozitë.

“Grupi i Bardhit që ka ngelur në ajër janë thjesht disa deputetë që janë bashkuar me Rithemelimin de facto dhe njëkohësisht shikoj që bëhet një betejë. Grupi i Bardhit po lufton të gjejë identitetin sepse iku në mënyrë pragmatiste nga PD ku këta ishin më të egrit për atë vijën e kuqe ndaj Berishës. Ikën sepse thanë se andej është shumica dhe tani po shikojnë se edhe aty nuk po e gjejnë veten pasi nuk u dolën llogaritë për shumicën që mendonin. Tani po shpikin këto ‘federatat’. Thelbi është se kur nuk ka parim është e vështirë të gjendet një identitet”- u shpreh gazetari.