MENU
klinika

"Koha e tyre do të mbarojë..."

Tensionet në Kuvend dhe Komisione, reagon kryeministri Rama

18.01.2024 - 18:53

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën politike në vend, mes tensioneve në Kuvend dhe Komisione, debateve për Reformën Zgjedhore dhe reagimeve të shumta që solli dekretimi i ligjit për Komisionet Hetimore.

Rama shprehet se siç mbaroi koha kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë, do të mbarojë dhe koha e ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Reagimi i Rames:

Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!

Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur.