MENU
klinika

Evropa në udhëkryq

Ukraina dhe zgjedhjet e qershorit, do të përcaktojnë fatin e BE-së

27.01.2024 - 12:43

Një presion i madh nga e djathta ekstreme mund të shënojë edhe fundin e Evropës, që ka kohë që nderet në horizont…

Do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte me pasoja potencialisht shumë tragjike. Jo, nuk po mendoj për fushatën presidenciale të Donald Trump të këtij viti, por mbi një zhvillim të ndërlidhur me të:vendimet e fundit të marra nga Bashkimi Evropian në lidhje me Ukrainën.

Në fund të vitit të kaluar, vendet evropiane nuk arritën që të bien dakord mbi një paketë të re ndihme prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën, teksa ky vend po përpiqej dëshpërimisht që të qëndronte në këmbë dhe të vazhdonte luftën e tij kundër pushtuesve rusë.

Çuditërisht, dështimi i atij propozimi, përkoi me një vendim befasues të BE-së për të nisur bisedimet e anëtarësimit me atë vend të rrethuar. Pra asnjë ndihmë ushtarake për Ukrainën në periudhën afatshkurtër, por oferta e mundshme e një “bilete të artë” për t’iu bashkuar BE-së në një moment të ardhshëm të pacaktuar.

Në këtë pikë, ukrainasit mund të pyesin veten nëse do të kenë ende një vend të tyrin. Kryeministri hungarez i krahut të djathtë Viktor Orbán, është kryesisht përgjegjës për këtë kombinim kontradiktor. Ai bllokoi i vetëm paketën e ndihmës, duke sugjeruar që çdo vendim të shtyhet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në fillim të qershorit të këtij viti.

Ai pret që ato zgjedhje të sjellin një ndryshim politik, ku forcat konservatore dhe ato të ekstremit të djathtë – aleatët e Donald Trump në Evropë – të zëvendësojnë konsensusin aktual të forcave centriste në PE. Tani Orban, po mbështetet tek një grup i ri udhëheqësish dashamirës për të çuar përpara axhendën e tij sociale konservatore dhe përpjekjet për të hequr dorë nga Ukraina.

Po ashtu, ai është shumë skeptik për zgjerimin e BE-së me përfshirjen e Ukrainës apo ish-republikave të tjera sovjetike. Kjo jo vetëm për shkak të ndjeshmërisë së Rusisë mbi këtë çështje, por nga frika se fondet e Bashkimit Evropian mund të devijohen nga Hungaria drejt anëtarëve më të rinj në lindje.

Duke u larguar nga salla kur u zhvillua votimi në dhjetor mbi anëtarësimin e ardhshëm të Kievit, Orbán lejoi që të mbizotëronte konsensusi, por vetëm sepse e dinte se kishte ende mjaft kohë për të bllokuar Ukrainën. Pavarësisht vonesës së ndihmës, ukrainasit mbeten optimistë.

Sikurse u shpreh në Twitter lideri i tyre Volodymyr Zelensky për anëtarësimin e ardhshëm në BE: “Kjo është një fitore për Ukrainën. Një fitore për të gjithë Evropën. Një fitore që na motivon, frymëzon dhe forcon”.

Por edhe nëse do të kapërcehet rezistenca e Orbanit, pranë është një sfidë tjetër më e madhe: Bashkimi Evropian, që pritet të marrë qëndrimin përfundimtar mbi anëtarësimin e Ukrainës, mund të mos jetë i njëjti organ rajonal si aktualisht. Ndërsa Rusia dhe Ukraina po luftojnë për të caktuar se ku do të jetë kufiri më lindor i Evropës, një konflikt i ashpër politik po zhvillohet në Perëndim mbi vetë përcaktimin e vetë asaj që quhet Evropë.

Në retrospektivë, largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në vitin 2020, mund të rezultojë të ketë qenë vetëm një pengesë e vogël në krahasim me atë që po përballet sot Evropa me luftën në Ukrainë, me suksesin e fundit të partive të ekstremit të djathtë në Itali dhe Holandë dhe me perspektivën që pas zgjedhjeve të ardhshme, një Parlament Evropian dukshëm më konservator, mund të ngadalësojë të paktën shtrirjen e mëtejshme të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Dhe më keq akoma, një presion i madh nga e djathta ekstreme mund të shënojë edhe fundin e Evropës, që ka kohë që nderet në horizont. Fundi i një historie të qëndrueshme suksesi të epokës sonë – veçanërisht nëse Donald Trump do të fitonte sërish zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të këtij viti – mund të sfidojë vetë konceptin e progresit që është në qendër të çdo axhende progresive.

Aleatët e Orban

Për dekada, politikani radikal holandez Geert Wilders, lideri i Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë, ka bërë vazhdimisht bujë në media për deklaratat dhe propozimet e tij brutale për të ndaluar krejtësisht Islamin, Kuranin dhe emigrantët në vend.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të nëntorit 2023 në Holandë, u duk sikur do të vazhdonte të ishte një kandidat i përjetshëm, me një shumicë votash të marra sidomos nga radhët e të rinjve. Përveç pengesave të zakonshme me të cilat u përball, siç ishte edhe platformat e tij ekstremiste, ai ishte kundër një fuqie politike me reputacion të drejtuar nga Frans Timmermans, arkitekti i Marrëveshjes së Gjelbër të Evropës dhe lideri i sapozgjedhur i koalicionit të qendrës së majtë.

Shënim:John Feffer, drejtor i think-tankut “Foreign Policy In Focus” me qendër në SHBA.