Vaksinimi në kohë për fëmijët është shumë i rëndësishëm.
Mjekët pediatër apelojnë prindërit për vaksinimin në kohë të fëmijëve të tyre me vaksinën kundër fruthit, rubeolës dhe shytave.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson në një postim në rrjete sociale se vaksinimi në kohë i fëmijëve siguron një mbrojtje më të mirë.
“Për të mbrojtur fëmijët tuaj nga fruthi, rubeola dhe shytat, duhet patjetër t’i vaksinoni në kohë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Ndiqni këshillat dhe udhëzimet e mjekëve pediatër për të siguruar një mbrojtje më të mirë për fëmijët tuaj”, shprehet Koçiu teksa ka publikuar edhe video-mesazhin e mjekes pediatre Melida Agastra.
“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve. Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”, shprehet mjekja Agastra.