MENU
klinika

Media serbe: Po “luan” në fshehtësi me Brukselin

Vuçiç dhe BE, si “Dhelpra dhe rrushi”…

30.01.2024 - 11:42

“Kur ai thotë një gjë, sigurohuni që në realitet gjithçka është e kundërta. Vuçiç është si në fabulën ‘Dhelpra dhe rrushi’. Ai në mënyrë indirekte pranon dështimin e politikës false evropiane pas 10 vitesh reforma të rreme. Dhe për shkak të deklaratave të tij, askush në Bruksel nuk u mërzit”. Kështu e nis artikullin media serbe “Danas”, duke cituar komentet e bashkëbiseduesve të saj, për deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “nuk është i interesuar” se cilat do të jenë rekomandimet dhe vendimet e Parlamentit Evropian në lidhje me vlerësimin e zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor në Serbi. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të mediave nga Serbia pas pjesëmarrjes në Akademinë Svetosava në Teatrin Kombëtar në Shkup, Vuçiç tha se rekomandimi i mëhershëm i Parlamentit Evropian për vendet që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës ishte njohja e saj. Nga ana tjetër, edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka thënë se në diskutimet në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës nuk është kërkuar hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi, sepse nuk ka qenë tema kryesore.

Synimi i Vuçiçit

Borko Stefanoviç, nënkryetar i SSP-së, tha se në thelb nuk duhet të merremi me atë që ka thënë Vuçiç, pasi dihet prej kohësh se ai nuk është në gjendje të thotë të vërtetën. “Pra, kur ai thotë një gjë, sigurohuni që në realitet gjithçka është e kundërta. Zërat nga Evropa konfirmojnë se sot nuk ka njeri që do të mbështeste, përgëzonte apo thoshte ndonjë fjalë pozitive për zgjedhjet e vjedhura në Serbi. Qeveria u kap në vjedhje, gjë që u konfirmua nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas, parti opozitare dhe qytetarë. Kjo shihet përmes mediave dhe institucioneve, mbushjes së kutive, pagesës së votuesve dhe shpërnguljes së organizuar të votuesve fantazmë”, shprehet ai. Siç shton ai, qeveria tani po prezanton tema të ndryshme në media, të gjitha me shpresën se do ta zhvendosin vëmendjen dhe do t’u dërgojnë një mesazh qarqeve të lobit ndërkombëtar se në Serbi është ende i nevojshëm një autokrat.

“Dhelpra dhe rrushi”

Ndërsa Biljani Gjorgjeviç, bashkëkryetar i Frontit të Gjelbër-Majtas, thotë se kjo deklaratë tingëllon si një fabul. “Duket paksa si përralla me dhelprën dhe rrushin ‘e thartë’, në të cilën Vuçiç e minimizon rëndësinë e etiketimit si shkaku kryesor i autokratizimit dhe kriminalizimit të Serbisë dhe si pengesë për integrimin evropian, gjë që u bë e dukshme në këto zgjedhje për të gjithë në Bashkimin Evropian”, thotë ai për “Danas”. Dhe Dushko Lopandiç, nënkryetar i Qendrës së Serbisë, thekson se Parlamenti Evropian është një tregues i tendencave dhe pikëpamjeve politike në vendet e BE-së, përfshirë vendet kandidate. “Pyetja thelbësore është se sa është larguar Serbia gjithnjë e më shumë nga rruga e integrimit evropian, për të cilën kriteri nr. 1 është respekti për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Deklarata e Vuçiçit në mënyrë indirekte pranon dështimin e politikës së tij të rreme evropiane pas 10 viteve reforma false”, thotë ai për median serbe“Danas”.

Asnjë surprizë në Bruksel

Bojana Selakoviç, koordinatore e Konventës Kombëtare të BE-së, nuk beson se dikush në Bruksel është mërzitur nga kjo deklaratë. Siç shton ajo, ndoshta askush nuk priste një reagim veçanërisht të ndryshëm nga Beogradi. “Fakti është se parlamenti në këtë moment nuk ka fuqi që ta detyrojë Serbinë të ndërmarrë ndonjë veprim me vendimet e veta. Gjithsesi, gjithçka që përsëritet mjaft herë dhe me zë të lartë nga PE, si rregull, arrin në institucione të tjera që mund të ndryshojnë dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe BE-së me pasoja shumë konkrete, sepse BE-ja, si një nga parimet bazë respekton parimin e ndarjes së pushtetit në të cilin dihet se kush mbikëqyr dhe kontrollon kë”, shpjegon ajo për “Danas”. Sipas tyre, presidenti i Serbisë, është i vetëdijshëm për përfundimin e mandatit të mbledhjes së tanishme të PE-së dhe mungesën e kohës për një reagim ndryshe, kështu që duke pritur për një mbledhje të re, në këtë mënyrë ai përdor marrëdhënien me Evropën për përdorim të brendshëm.