Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Dervish Hasin.
Mjeku akuzohet nga prokuroria për trafikim të të miturve dhe pornografi.
Ditën e sotme është zbardhur një pjesë nga deklarata e Dervish Hasit në gjykatë.
“Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë ndonjëherë trafikim apo pornografi me gruan time. Nëse i kam bërë atëherë jam dakord që të qëndroj në burg.”- ka thënë ai.
Po ashtu, Hasi ka pretenduar para gjykatës së më herët ka bërë kërkesë në gjykatë për autorizim për martesë me të miturën, për shkak se ligji e parashikon që pas moshës 16 vjeçare të kërkohet autorizim kur pretendohet për lidhje martese.
42-vjeçari me profesion kirurg u arrestua nga policia e Tiranës të enjten, si tutor i një vajze të mitur.
Dervish Hasi, me profesion mjek kardiokirurg, në Sanatorium, spitali universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i cili njihet si besimtar mysliman, kishte edhe 3 gra të tjera, të cilat i mbante në banesën e tij, nën justifikimin e besimit.
Burime bëjnë me dije se vajza e mitur, shkonte në shtëpinë e mjekut Hasi në intervale kohore prej 3 deri në 4 ditë dhe për një periudhë prej 2 vitesh dyshohet se është kryer marrëdhënie seksuale në mënyrë të rregullt me të.
Vajza, e cila është marrë nga policia dhe është dërguar në shtëpinë e prindërve, pritet t’i ushtrohet një ekspertize të plotë për të vërtetuar dyshimet.
Fillimisht në drejtim të policisë mbërriti një denoncim për shfrytëzimin e saj për prostitucion, teksa menjëherë blutë arritën të sigurojnë prova të plota përmes përgjimeve dhe komunikimeve që vajza e mitur ka kryer me 42-vjeçarin Hasi dhe një grup chat-i në të cilin flisnin dhe ndanin video intime të gjithë, bashkë më gratë e tjera të 42-vjeçarit.
Në duart e hetuesve janë prova të rëndësishme që vërtetojnë abuzimin me të miturën, për të cilën më herët nuk ishte kryer asnjë denoncim nga familjarët.
Në dëshminë e tij para hetuesve, mjeku Hasi ka deklaruar se e mitura ka shkuar në shtëpinë e tij me dëshirën e saj dhe asnjëherë nuk është marrë me dhunë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të depozituar në komisariat, se një e mitur shfrytëzohej nga një shtetas, për prostitucion, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin ligjor të rastit në fjalë dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Dervish Hasi, 42 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.