Qeveria e Maqedonisë e Veriut, do të dorëhiqet të enjten, për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike. Këtë e bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovacevski. Dorëheqjen do ta paraqesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili pritet të emërohet kryeministër i Qeverisë teknike, që do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj. Sipas Kovacevskit, “zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje mes Perëndimit dhe Lindjes”. “Bëhet fjalë përzgjedhje, ku ju keni partitë politike të qendrës dhe të qendrës së majtë apo partitë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Por, në vendin tonë tani do të ketë zgjedhje në të cilat do të përballen partitë politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”, tha Kovacevski. Para votimit të Qeverisë së re, Kuvendi duhet të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate.Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Pjesë e kësaj Qeverie, përveç partive që aktualisht përbëjnë ekzekutivin, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, konkretisht VMRO DPMNE-ja, të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta. Por, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka thënë se deputetët e saj nuk do të votojnë për Qeverinë teknike, pasi janë kundër që ajo të udhëhiqet nga Talat Xhafer pasi e akuzojnë për shkelje të shumta ligjore gjatë punës si kryetar i Kuvendit.