MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

10 çështje që Arben Ahmetaj la pa sqaruar për publikun

05.02.2024 - 12:00

Nuk dha asnjë provë shkresore kundër Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Deklaroi se nuk do të përballet me drejtësinë dhe se komunikonte me diplomatët e huaj. Tha se ishte kërcënuar me jetë, por nuk ka bërë denoncim. Cilat janë çështjet që Arben Ahmetaj i la pa sqaruar në intervistën me gazetarin Çlirim Peka.

Nga Roland Qafoku

Intervista e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj padyshim që ishte një scoop mediatik i të paktën 4-5 viteve të fundit. Në garën e paaftësisë për t’i marrë të ftuarit njëri-tjetrit në emisione, gazetari Çlirim Peka pati meritën që të enjten në prime time t’i thyente të gjitha këto “rregulla” dhe kapi podin 1 të shikueshmërisë së ekraneve, duke bërë që agjenda e medias të diktojë agjendën e politikës dhe jo anasjelltas. Për 2 orë, 30 minuta e 11 sekonda, Peka bëri që të ndiqnin vetëm atë, ndërsa rrjetet sociale janë furnizuar për shumë kohë si lëndë e parë. Ata që kanë bërë intervista e njohin dhe e dinë mirë se çfarë mundimi është të kapësh një lloj scoop-i të tillë dhe Peka përtej çdo paragjykimi ka meritën që solli për publikun personazhin më të kërkuar të drejtësisë dhe jo vetëm. Ndërsa ata që nuk kanë bërë qoftë edhe një intervistë në karrierën e vetë, le të vijojnë të bëjnë kritika se kjo është puna e vetme që bëjnë. Por përtej bilancit të kolegut Peka që e futi në këtë intervistë në CV-në e vetë, për hir të vërtetës, pritshmëritë për ato që do të thoshte Ahmetaj ishin shumë herë më të mëdha. Me atë që kuptuam ishte se Peka i la atij hapësirën e nevojshme për të folur, por pikërisht këtë hapësirë Arben Ahmetaj nuk e justifikoi. Ish-numri dy i qeverisë e reklamoi veten se kishte qenë një politikan i mirë, një deputet po aq i mirë dhe një ministër dhe zëvendëskryeministër shumë herë më i mirë dhe se i kishte merituar këto detyra falë disa aftësive të veçanta. Ai reklamoi veten se kishte qenë një administrator që ishte fat që e kemi patur, se kishte ulur borxhin publik dhe kishte zvogëluar PPP-të. Të gjitha këto nuk janë pak, gjithnjë sipas tij. Por, stonatura e Ahmetaj lidhej me raportet e tij me kryeministrin dhe çështjen e inceneratorëve dhe jo sa i mirë kishte qenë ai përgjatë karrierës në politikë. Fraza e përsëritur në anglisht “by the way” (Meqënëse ra fjala) dhe emri i Maximilien Robespierre, duke atakuar qeverinë dhe SPAK, nuk e ndihmuan fare të ishte i qartë për publikun. Për opinionin kishte të tjera pritshmëri. Të paktën 10 çështje Arben Ahmetaj jo vetëm nuk i sqaroi, por i shtoi dyshimet e publikut për të.

Së pari, Arben Ahmetaj nuk dha asnjë provë shkresore, provë të dokumentuar, fotografi apo video që të përbënte provë, apo kundërprovë, për të gjitha akuzat që ai bëri gjatë intervistës. Të gjithë prisnim që ai të tundte në ekran një provë juridike për këdo që ai vuri nën akuzë. Nuk reklamoi asnjë dokument me firmën e dikujt, apo me firmën e vet që të vërtetonte akuzat e rënda ndaj kryeministrit, apo bashkëpunëtorëve të tij se sa të korruptuar ishin. Sugjerimet e tij gjatë intervistës që Peka të investigonte ishin thjesht një humor të pavetëdijshëm. Se çfarë investigonte Peka dhe televizioni i tij atë e di vetë Peka dhe stafi i tij. Ne prisnim që në këtë intervistë Ahmetaj të bënte publike investigimet e tij që kishte bërë kur ishte numri dy i qeverisë, por ai nuk e bëri kurrë këtë.

Së dyti, Arben Ahmetaj konfirmoi se vijon t’i devijojë drejtësisë. Ai as nuk është përballur deri tani dhe me ato që tha gjatë intervistës do të vijojë të mos përballet me drejtësinë. Ai do të vijojë të jetë i arratisurr pavarësisht se në sqarimin që dha se mungesa e tij në fillim lidhej me faktin se ishte me pushime. Se si një person shkon me pushime dhe për me tepër jashtë Shqipërisë kur e kërkon e gjithë Shqipëria, këtë vetëm Arben Ahmetaj mund ta kuptojë. Një person i pafajshëm përballet me drejtësinë dhe nuk i shmanget asaj. Lufton me të edhe kur mendon se është i disfavorshëm. Arben Ahmetaj as nuk e ka bërë deri tani dhe me atë që tha gjasat janë që nuk do përballet. Realisht kjo është në dëm të tij.

Së treti, Arben Ahmetaj nuk dha asnjë kundërprovë për veten që është i larë nga historia e inceneratorëve. Nuk dha asnjë dokument, asnjë kundërfirmë, foto, apo video që nuk ishte pjesë e veprës penale. Fjala se ai nuk ka qenë pjesë e procedurave është ajo që mendon ai. Por në fakt SPAK zyrtarisht pretendon ndryshe. Ankesa e tij se i kanë kontrolluar edhe faturat e shpenzimeve prej 2.7 milionë lekëve të reja vetëm për riparimin e sistemit hidrosantitar të ish-bashkëshortes jo vetëm nuk është justifikim,

por e fut në implikim teksa dihet që një nga mënyrat e hetimeve në kohën moderne është ndjekja e parave ose siç e përsëriste Ahmetaj në intervistë “Follow the money”. Dhe… 2.7 milionë vetëm për hidrosanitare në fakt nuk është ndonjë shifër aq e vogël.

Së katërti, Arben Ahmetaj nuk dha asnjë provë, asnjë kundër kryeministrit se ai ka abuzuar me detyrën. Edhe këmbënguljes së kolegut Peka për ta vërtetuar këtë, Ahmetaj e sqaroi vetëm me fjalë. Ahmetaj nuk dha asnjë provë, detaj apo të dhënë që Edi Rama ka kryer vepër penale si kryeministër. Kaq sa tha Arben Ahmetaj për Ramën i thotë vetëm Berisha nga mëngjesi deri në mbrëmje. Opinioni priste që Ahmetaj të tregonte detaje se si kreministri punon, si funksionon në detyrën e shefit të qeverisë, si komunikon me vartësit, si firmos dhe ku firmos dhe si i merr vendimet. Me kë këshilohet, kë dëgjon dhe kë favorizon. Por zëvendësi i Edi Ramës, që ka qenë më afër se askush tjetër, nuk tha asnjë nga këto. E vetmja e re ishte që Rama ka thënë se Ahmetaj “do shkonte në të sëmës”. Sigurisht që kjo është një frazë e rëndë, por është kaq e paqartë përse u tha saqë hajde ta vërtetojmë nëse Rama dhe dy tre bashkëpunëtorë të tij të thonë që nuk e ka thënë. A e kishte kundërshtuar Ahmetaj për ndonjë aferë Ramën dhe ky në inat e sipër tha se “do t’ia ndreqte qejfin”? A kishte kundërshtuar Ahmetaj ndonjë firmë dhe Rama e mori si sfidë? Asnjë nga këto nuk tha Ahmetaj.

Së pesti, Arben Ahmetaj rekamoi veten se është në kontakt me diplomatët e huaj. Kjo bie erë se askush nuk e beson që ambasadorët dhe diplomatët e huaj mund të komunikojnë me një person në kërkim. Ahmetaj mund t’u ketë dërguar materiale dokumentare atyre. Madje me postë, por në asnjë rast kjo nuk quhej komunikim. Ahmetaj e reklamoi veten se pothuajse ishin ata që e mbronin gjë që kjo bëhet fare e besueshme.

Së gjashti, ishte e rëndë për hir të vërtetës ajo që tha Ahmetaj e ishte kërcënuar me jetë ai dhe familja e tij. Sigurisht që kjo është e papranueshme dhe padyshim që është një krim. Megjithatë, Ahmetaj nuk duhet ta kalonte këtë me një frazë “i thashë Bledi Çuçit”. Ahmetaj duhet të kishte depozituar denoncim konkret për kërcënimet që kishte marrë dhe policia dhe bashkë me të edhe prokuroria duhet ta hetonte me shumë seriozitet. Por në fakt ai nuk e ka bërë këtë dhe kjo lë shumë paqartësi.

Së shtati, akuzat e Ahmetaj ndaj medias ishin aspak të pranueshme. Ai përmendi aty disa televizione dhe disa gazetarë dhe këto sulme janë në disfavor të tij. Nuk po diskutoj fare nëse këto media dhe gazetarë janë bërë pjesë e këtij skandali. Por të thuash se Top Channel bëri një emision të posaçëm për të me urdhër të Edi Ramës duhet të kesh prova bindëse. Që një televizion bën lajme, kronika dhe emisione, është puna më elementare. Por që kryeministri vetë, apo me njerëzit e tij të organizojë nje emision të posaçëm për një politikan të vetëm është absurd dhe një investim fare i panevojshëm. Arben Ahmetaj duhet ta kishte thënë këtë kur ndodhi dhe jo pas një viti.

Së teti, Arben Ahmetaj akuzoi dhe sulmoi edhe SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë. Në një nga fjalitë e tij ai tha se “dihet se kush i merr, kush i ndikon dhe kush e dikton këtë strukturë”. Kjo ishte edhe akuza më e rëndë ndaj SPAK. Kush? Se ne nuk e dimë kush. Ahmetaj duhet të ishte i qartë dhe i saktë në akuzat ndaj tij. Nëse ai kishte prova dhe fakte që Rama merrte prokurorët SPAK dhe diktonte, këtë duhet ta shoqëronte këtë me prova dhe fakte dhe jo me pyetje.

Së nënti, Arben Ahmetaj rrëfeu për mënyrën se si e shkarkoi Edi Rama nga detyra e zëvendëskryeministrit, por jo si e emëroi Rama. Ai tregoi se si një foto që i kishte bërë një kolege ministre në hollin e Rogner kur ky kishte përqafuar me mall pronarin e një media. E marrim të mirëqënë këtë arsye shkarkimi. Por zoti Ametaj duhet të kishte treguar përse Edi Rama e kishte emëruar dhe bërë bashkëpunëtorë të tij më të ngushtë. Cilat ishin aftësitë dhe cilësitë e tij? Përse Rama i besoi të ishte njeriu më i afërt i tij dhe cila ishte prova që ai e kishte fituar këtë besim. Këto Ahmetaj nuk i tregoi dhe sqaroi.

Së dhjeti, Arben Ahmetaj nuk tha nëse përgjatë 10 viteve në pushtet kishte ndarë ndonjë gjë ndryshe me kryeministrin Edi Rama. Nuk tha nëse e kishte kundërshtuar ndonjëherë kryeministrin për vendime të gabuara. Nuk tregoi nëse ato që opozita e akuzon janë të vërteta. Në një pyetje që Peka ia drejtoi me të drejtë nëse kishte folur për kanabizimin e vendit përgjigjja e Ahmetaj mbetet ikonike: Kundërshtova duke hartuar politikat e duhura fiskale. Nuk ke si e merr këtë përgjigje. Paqartësi, apo humor.