20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në histori si dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha.
Duke publikuar edhe fotot-ikonë të këtij momenti, Muzeu Historik Kombëtar kujton se më 20 shkurt 1991 dhjetëra-mijëra studentë e qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, monumentin e diktatorit Enver Hoxha, i cili ishte i vendosur në qendër të Tiranës.
Më 18 shkurt 1991, studentë të Universitetit të Tiranës, që në atë kohë mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha, hynë në grevë urie. Në 20 shkurt të vitit 1991, pas protestave disa javore të studentëve të dhjetorit dhe ditët e fundit me grevë urie, qytetarët e Tiranës u bashkuan në një protestë madhështore, e cila u finalizua me rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Data 20 shkurt e vitit 1991 shënoi fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet e ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar.