MENU
klinika

Intervista e bujshme

6 pyetje që gazetari amerikan Tucker Carlson duhet t’i kishte bërë Putinit!

09.02.2024 - 23:13

Pyetja e tretë, duhet të ishte për rebelimin e dështuar të themeluesit të grupit paraushtarak “Wagner” Yevgeny Prigozhin!
“Politico” ka publikuar sot gjashtë pyetje që thekson se prezantuesi amerikan Tucker Carlson duhet t’i kishte bërë presidentin rus, Vladimir Putin, në intervistën që mori vëmendjen e botës mbarë.

Pyetja e parë sipas “Politico” duhej t’i referohej faktit se historiani rus Yuri Dmitriev është në burg me akuza që BE thotë se janë të sajuara, nga regjimi i Putinit.

“Pse historianët e besueshëm rusë, si kronisti i epokës së Stalinit, Yuri Dmitriev, janë në burg me akuza që BE thotë se janë të sajuara?” Historiani rus Anatoly Razumov, i cili gjithashtu ka punuar për dekada për të identifikuar të vrarët nga xhelatët e Stalinit, thotë se autoritetet tuaja e kanë kthyer orën pas në epokën komuniste dhe po keqpërdorin historinë. A nuk do të thotë kjo se ju po ndryshoni historinë për qëllime politike?”.

Pyetja e dytë duhej të lidhej me faktin se disa politikanë të opozitës nuk lejohen të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale të ardhshme.

“Pse nuk lejoni që kandidatë seriozë dhe të besueshëm të konkurrojnë kundër jush në zgjedhje? Figurat e opozitës dhe kritikët tuaj duket se kanë një zakon të keq për t’u vrarë, si Boris Nemtsov, i cili u qëllua disa herë pranë Sheshit të Kuq, ose u helmua dhe u burgos si Alexei Navalny. Së paku, ky është një model fatkeq që sugjeron se nuk jeni në kontroll, dhe në rastin më të keq, sugjeron që e gjithë kjo është e orkestruar. A jeni ju përgjegjës për këto vrasje dhe burgosje?”.

Pyetja e tretë, duhet të ishte për rebelimin e dështuar të themeluesit të grupit paraushtarak “Wagner” Yevgeny Prigozhin!

“A u habitët kur miku juaj i vjetër nga Shën Petersburgu, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, u kthye kundër jush? Ju thatë pas rrëzimit të avionit në të cilin mbeti i vrarë se ai kishte ‘bërë gabime të rënda në jetën e tij’. Për cilat gabime po flasim dhe a është më i madhi që ju kritikoi ju dhe gjeneralët tuaj për mënyrën se si po zhvillohet lufta kundër Ukrainës? E keni urdhëruar vrasjen e tij?”

Në pyetjen e katërt, Putinin duhej të ishte pyetur pse nuk mund të tolerojë “mediat e pavarura”.

“Qindra gazetarë rusë janë detyruar në mërgim për të vazhduar të raportojnë për luftën tuaj kundër Ukrainës. A nuk është rasti që nuk mund të toleroni një media të pavarur?”

Sa i takon pyetjes së psetë, ai duhej të shpjegonte se si disa shkencëtarë që morën pjesë në programin e zhvillimit të raketave hipersonike ruse, u burgosën ose vdiqën “në rrethana të çuditshme”.

“Ju jeni krenarë për raketën e re hipersonike të Rusisë, por ajo është rrënuar gjithashtu nga disa vdekje dhe arrestime të shkencëtarëve të përfshirë në program. Në fakt, të paktën një duzinë shkencëtarësh janë arrestuar dhe tre kanë vdekur në rrethana të çuditshme. Si e shpjegoni këtë?”

Pyetja e gjashtë dhe e fundit duhej t’i referohej incidenteve në gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe deklaratave të presidentit rus, i cili, përpara pushtimit të Ukrainës në 2022, mohoi se kishte ndonjë plan të tillë!

“Me atë përvojë, pse dikush do të besonte diçka që ju thuaj tani?”

Kujtojmë se mbrëmë, Tucker Carlson publikoi një intervistë me Putinin në të cilën presidenti rus foli ndër të tjera për historinë e Rusisë dhe Ukrainës, zgjerimin e NATO-s në lindje, shkakun e konfliktit në Ukrainë, një zgjidhje të mundshme paqësore, për shkatërrimin e gazsjellësit Nord Stream, rivendosjen e komunikimit me SHBA-në dhe gazetarin amerikan Evan Gershkovich, i burgosur në Rusi me akuzën e spiunazhit, të cilin punëdhënësi dhe Shtëpia e Bardhë e hedhin poshtë.

Putin theksoi në intervistë se është shumë e vështirë të mposhtni SHBA-në në luftën propagandistike sepse, siç tha ai, Amerika kontrollon të gjitha mediat botërore dhe shumë evropiane. Sipas tij, përdoruesit përfundimtarë të mediave më të mëdha evropiane janë institucionet financiare amerikane. Intervista deri më tani është parë nga më shumë se 100 milionë njerëz./Poltico