Më 5 shkurt, Mihal Grameno, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore, derisa vdiq në Korçë gjatë vitit 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Më 13 janar 1871 do të lindte në Korçë Mihal Grameno, një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.
I shkolluar fillimisht në vendlindje, në vitin 1885 do të mërgonte drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh Sekretar i Shoqatës “Drita”.
Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe mori pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit, për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, i vrarë nga grekët në Selanik.
Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen “Koha” të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919.
U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës “Albania” që botonte A. G. Naçe në New York.
Pas një viti u kthye në Shqipëri. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot imazhe të tregimit “Saideja Engjëllore”, shkruar nga Mihal Grameno.