MENU
klinika

Analiza

A është vdekja e Navalny-t, fundi i opozitës ruse?

20.02.2024 - 09:18

Kur Alexei Navalny zgjodhi të kthehej në Moskë në janarin e vitit 2021, udhëheqësi i opozitës ruse duhet ta ketë ditur se vdekja e tij ishte e pashmangshme. Pasi i mbijetoi një atentati dhe u dënua me një burgim të gjatë të dhënë nga gjyqësori i korruptuar i Rusisë, Navalny zgjodhi të martirizohej në emër të rrëzimit të Vladimir Putinit.

Por sot që nuk është më në jetë, ai nuk lë pas vetes asnjë opozitë të bashkuar, asnjë lider që të zërë vendin e tij, dhe pak shpresë se e nesërmja për Federatën Ruse do të jetë më e ndritshme. Gjatë 3 viteve të fundit që nga rikthimi i tij në Rusi, ish-avokati dhe blogeri i njohur shfaqej herë pas here në lidhje direkte me video nga ambientet e burgjeve të largëta për t’iu përgjigjur akuzave absurde.

Trupi i tij i dobësuar, tregonte shenjat e vuajtjes së skajshme. Kolonitë Ndëshkimore të Rusisë – ku zakonisht mbyllen kriminelët më të këqij – janë vende me kushte shumë të ashpra edhe në kohët më të mira. Ndërkohë Navalny iu nënshtrua një liste të veçantë torturash çnjerëzore.

Muajt që kaloi i vetëm në izolim, në temperaturat nën zero gradë dhe me racione të pakta ushqimore, ia shkatërruan shëndetin. Madje shteti refuzoi për periudha të gjata që të fikte dritat e qelisë së tij, ndërsa me një altoparlant transmetonte për orë të tëra propagandë politike në qelinë e tij.

Megjithatë, çuditërisht Navalny dukej se arriti ta ruante ekuilibrin mendor. Një ditë para se të vdiste, ai u pa në gjykatë duke qeshur dhe bërë shaka – ai nuk i merrte seriozisht gjyqet farsë të regjimit, duke zgjedhur të tallej në vend se të bëhej pjesë e tyre – dhe nga qelia e tij ai shkruante rregullisht kritika të ashpra për regjimin e Putinit dhe luftërat e tij.

Kur avokatët e tij arritën ta kontaktonin, ata i shpërndanë këto materiale përmes burimeve të njohura të mediave sociale të Navalny. Shëndeti i tij mund të ishte përkeqësuar, por ai mbeti i vetëdijshëm si për politikën ruse, po ashtu edhe për fatin e tmerrshëm që e priste.

Kur Navalny u ngjit në skenën politike në fillim të viteve 2010, ai përdori mediat sociale

për të nxjerrë në rrugë qindra mijëra rusë, që protestuan kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shtetit rus. Duke shkruar në blogun e tij personal, Navalny e shtriu apelin e tij përtej elitave dhe i dha zë opozitës: “Ne nuk jemi bagëti apo skllevër. Ne kemi një zë dhe forcë për ta mbrojtur atë”.

Ky avokat simpatik dhe rinor foli në gjuhën e të rinjve, duke përdorur platformat e tyre më të preferuara, për të forcuar opozitën ndaj regjimit kriminal të Vladimir Putinit. Dhe mesazhi gjithëpërfshirës i Navalny, i transmetuar në një kohë kur shtypja masive sapo kishte filluar në Rusinë post-sovjetike, ishte i thjeshtë: kushdo tjetër në krye të vendit përveç Putinit.

Një veprimtar politik, publicist dhe orator i aftë, Navalny u bëri thirrje rusëve nga i gjithë spektri i shoqërisë që të bashkohen dhe të rrëzojnë Putin. Në ato marshime të hershme, të cilat u përqendruan në kundërshtimin e zgjedhjeve presidenciale jodemokratike të vitit 2012, Navalny u bëri thirrje të gjithëve, nga të gjelbrit deri tek komunistët, nga liberalët deri tek nacionalistët që t’i bashkohen fushatës së tij.

Duke treguar pak respekt për ata me të cilët punonte, Navalny e pa veten shumë shpejt udhëheqës të një grupimi informal, drejtuesit e të cilit janë sot figura si Ilya Yashin, sot në burg – apo si Boris Nemtsov, i vrarë shumë kohë më parë nga regjimi. Në atë kohë, askush nuk dinte si të fliste apo bashkonte një spektër kaq të gjerë të opozitës së ndryshme të Rusisë si Alexei Navalny.

E megjithatë, ishte pikërisht kjo strategjia për unitetin, ajo që nxiti edhe kritikat më të mëdha ndaj Navalny-t. Animi i udhëheqësit opozitar ndaj të djathtës ekstreme dhe mbështetja e mëparshme për politikat nacionaliste – më vonë do të kërkonte ndjesë për cilësimin e myslimanëve si “buburreca” në një video të vitit 2007 – e ka dëmtuar reputacionin e tij, sidomos tek ukrainasit.

Fotot e Navalny-t duke marshuar përkrah të djathtës ekstreme, shoqërojnë çdo përmendje të liderit të ndjerë në forumet në internet. Po ashtu, kritikët e akuzonin rregullisht për dyshimet që ai kishte hedhur mbi fatin e Krimesë në vitin 2014. Në fakt Navalny nuk ka qenë asnjëherë liberali i kulluar siç shpresonin disa në Perëndim.

Gjithsesi ai ishte i vetmi lider udhëheqës në 24 vitet e sundimit gjithnjë e më totalitar të Putinit, që ofroi një rrugë serioze për të dalë nga diktatura, oligarkia dhe nacionalizmi ekstrem. Ndërsa sondazhet nuk kanë treguar ndonjëherë se ai ka pasur mbështetje masive – madje vlerësimi nga publiku rus për të nisi të binte me shpejtësi vitet e fundit – ekipi i tij arriti një audiencë të madhe në internet edhe përmes lobimit jashtë vendit, duke krijuar lidhje politike serioze me politikë-bërësit në mbarë botën.

Për shembull, një dokumentar investigativ mbi pallatin luksoz të Putinit në bregun e Detit të Zi, i ndërtuar me fonde të vjedhura nga shteti, është parë mbi 100.000.000 herë në YouTube.

Putini mund të ketë kontrolluar masmedian, por ekipi i Navalny-t i anashkaloi me shkathtësi kufizimet zyrtare për të arritur tek një audiencë e madhe.

Thuajse të gjithë në Rusi kanë dëgjuar për Alexei Navalny-n, dhe e dinin se ai përfaqësonte opozitën e vërtetë ndaj Putinit (të cilin Navalny e pagëzoi “plaku në bunkerin e tij” – një gjysh të çuditshëm që është i vendosur ta shkatërrojë Rusinë).

Në një vend, politika e të cilit ka qenë e mbushur me kandidatë të rremë të opozitës, Navalny ishte për mirë a keq për shumicën e rusëve, alternativa më e njohur dhe e vetmja ndaj Putinit. Mund të jetë një rastësi që vdekja tragjike e tij në rajonin e largët Yamalo-Nenets, ndodhi vetëm një muaj para se vendi të mbajë zgjedhjet presidenciale.

Por ai pason gjithashtu lajmin e javës së kaluar se sfiduesi i Putinit dhe kandidati më i moderuar i opozitës, Boris Nadezhdin, është përjashtuar nga gara. Këto histori i shtohen raporteve të panumërta të arrestimeve, rrahjeve dhe vrasjeve të gazetarëve dhe politikanëve të opozitës në të gjithë Rusinë gjatë dy viteve të fundit.

Gjenerata e liderëve dhe mbështetësve të opozitës e viteve 2010 është goditur dhe shkatërruar. Tani është vrarë shpresa e tyre më e madhe. Ditët kur kandidatët e opozitës mund të lejoheshin të vepronin në periferitë e Rusisë, apo edhe të bënin një fushatë elektorale sado modeste, kanë ikur prej kohësh.

Tani regjimi po përdor media të reja për ta forcuar shtypjen, duke pakësuar vazhdimisht çdo “shkëndijë” opozitare përpara se figura si Alexei Navalny të lejohen të ndezin flakët e revoltës. Sa herë që nis një fushatë e re, ajo mbytet menjëherë nga rrjetet e propagandës në media dhe rrjetet sociale, teksa përkrahësit e saj mbyllen në burgjet më të tmerrshme të Rusisë.

Në këto rrethana, si mund të lindë një Navalny i ri, i panjollë dhe popullor? Arritja më e madhe e Navalny-t ishte bashkimi i opozitës nën flamurin “të gjithë përveç Putinit” në fillim të viteve 2010. Ai ndërtoi ura midis grupeve kundërshtare, të fragmentuara. Pa Navalny-n, do të ishte e pamundur të imagjinohej që komunistët të marshonin përkrah të gjelbërve kundër Putinit. Sot opozita ruse ka dëshpërimisht nevojë për një figurë që të ketë forcën psikologjike dhe karakterin vetëmohues të Alexei Navalny-t.

Pra dikë që të jetë mjaftueshëm i guximshëm për të qëndruar në Rusi, për të thënë të vërtetën pa marrë parasysh pasojat, dhe të krijojë një vrull të ri për një valë të re protestash mbarëkombëtare. Analistët jashtë Rusisë dhe shumë rusë që e kanë ndjekur aktivitetin e Alexei Navalny do të binin dakord se sot për sot nuk ekziston një figurë e tillë.

Ndoshta kjo figurë mund të jetë gruaja e Navalny-t, Yuliia, e cila mbajti një fjalim publik të fuqishëm duke bërë thirrje për hakmarrje ndaj vrasësve të bashkëshortit të saj, pak orë pasi mori vesh lajmin për vdekjen e tij. Ose ndonjë i panjohur, ndonjë i ri rus, që do të përdorë masivisht TikTok-un apo ndonjë teknologji tjetër të re, siç bëri Alexei Navalny në vitin 2011.

Por në një botë ku kontrolli i Putinit mbi mediat kryesore dhe sociale duket më i fortë se kurrë, dhe kur regjimi po përdor mjete gjithnjë e më ekstreme për të shtypur popullsinë e tij, vdekja e Alexei Navalny sinjalizon një të ardhme edhe më të zymtë për Rusinë.

 Ian Garner, historian dhe analist i kulturës ruse dhe propagandës së luftës. Libri i tij i fundit titullohen “Gjenerata Z: Rinia fashiste e Rusisë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë janë armët EMP që do të dërgohen në hapësirë

Frika e një apokalipsi bërthamor aktivizon shërbimet sekrete


2 liderë të fuqishëm janë gati për negociata me rusët

Zelensky shpalos “Planin e Fitores”, një “shuplakë” erdhi nga BE

Ministri Katz: Arritje e rëndësishme për ne!

Izraeli konfirmon vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar!

"Parashikohen ndryshime radikale"

Le Pen dhe e ardhmja e BE-së

Çfarë janë “dronët fantazmë”?

Situata në gadishullin Korean del jashtë kontrollit!

Gara midis Trump dhe Harris mbetet në “ngërç”

Çfarë i duhet secilit kandidat për të fituar epërsi në sondazhe