MENU
klinika

Mjeket: Kontroll farmacive!

Aborti, mentaliteti që kushton shumë

04.02.2024 - 10:42

Aborti medicinal kushton më pak se ai kirurgjikal dhe është një nga format më të përdorura vitet e fundit nga vajzat e reja për t’i dhënë fund një shtatzënie të padëshiruar. Po cilat janë kostot afatgjatë?

Aborti është një temë komplekse dhe me ndikim në shumë aspekte të jetës shoqërore. Ndërsa debatet mbi moralitetin dhe etikën e abortit janë të vazhdueshme, është po aq e rëndësishme të shqyrtohen edhe aspektet ekonomike të këtij fenomeni. Në planin familjar, një abort mund të ketë pasoja të theksuara në dinamikën dhe strukturën e familjes. Ndërsa disa persona mund ta shohin abortin si një mundësi për të mbajtur nën kontroll numrin e fëmijëve dhe burimet familjare, të tjerë mund ta perceptojnë si një humbje potenciale në lidhje me pasurinë e ardhshme të familjes.

Nga një perspektivë socio-ekonomike, ndikimi i abortit mund të reflektohet në nivelin e rritjes së popullsisë dhe strukturën demografike të një shoqërie. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të përmendim edhe kostot ekonomike të një aborti. Përveç kostove mjekësore dhe atyre që lidhen me ndërprerjen e shtatzënisë, ka edhe aspekte të tjera ekonomike që mund të mos jenë shpesh të perceptueshme në fillim. Për shembull, humbja e potencialit të kontributeve në forcën e punës dhe rritja e ndikimit në shëndetin emocional të individit, të cilat mund të shkaktojnë sfida afatgjata në planifikimin financiar dhe zhvillimin personal. Vitet e fundit, një fenomen i përhapur ka qenë aborti medicinal.

Në fakt, është një praktikë e pranuar në shumë vende të botës, por në asnjë rast, pilulat të përdorura për kryerjen e tij, nuk mund të jepen pa rekomandimin e mjekut, pasi ky i fundit ka kryer një sërë ekzaminimesh për shëndetin e gruas. Mjekët gjinekologë deklarojnë se, kjo lloj praktike abortimi mund të kryhet deri në javën e shtatë të shtatzënisë dhe se mund të sjellë komplikacione të rënda shëndetësore, në rast se kryhet jashtë kësaj periudhe dhe pa ekografitë dhe ekzaminimet shëndetësore të gruas.

Por, çfarë ndodh në terren, është një realitet krejt tjetër.

Dhjetëra vajza dhe gra mendohet se kryejnë abort medicinal jashtë vëmendjes së mjekëve dhe sistemit shëndetësor, duke marrë pilulat në farmacitë e lagjeve me të njëjtën lehtësi, siç do të merrnin një paracetamol. Shifrat zyrtare flasin për ulje të numrit të aborteve në Shqipëri, ajo çfarë është ulur janë vetëm abortet e regjistruara në maternitetet e vendit. Nga një vëzhgim në farmacitë në kryeqytet, këto pilula mund të blihen duke filluar nga 4 deri në 10 mijë lekë. Gjenden me emrat tregtarë si Mifeprex apo Mifegyne dhe zyrtarisht, nuk mund të lëshohen pa recetë mjeku.

Në një përpjekje për blerje pa recetë, revista “Monitor” testoi 10 farmaci në qytet, në zonën e Komunës së Parisit, Rrugës së Kavajës dhe zonës së ish-Bllokut.

Në 2 nga këto farmaci, mund të blihej pilula pa recetë, ndërsa 8 të tjerat nuk e lëshonin. Në komunikimet me 2 farmacistët e parë, pilulat nuk gjendeshin në stok, por zotoheshin ta gjenin kundrejt një kostoje prej 7000 lekësh.

Sipas mjekes gjinekologe obstetër Mimoza Keta, shitja e tyre ndodh gjithmonë nëpër xhepa. “Duhen kontrolle më të larta. Vajzat e reja drejtohen nëpër farmaci që t’i gjejnë këto lloj tabletash dhe pa ditur asnjë lloj protokolli. Por ajo çfarë ndodh më pas është se, vijnë në spitale apo klinika me pasojat e tyre shëndetësore, ose me shtatzëni, të cilat nuk janë abortuar si rezultat i marrjes së tabletave se nuk kanë ditur t’i marrin. Problematikat vijnë zinxhir”, – thotë për “Monitor”, Dr. Keta.

Ndikimet

Se cilat janë ndikimet e një aborti medicinal, mjekët përgjigjen njëzëri: rrezik i madh në shëndetin e gruas. Sipas tyre, aborti medicinal ka ndikime afatgjata në trupin e një gruaje. Kjo procedurë mund të shoqërohet me ndryshime hormonale, emocionale dhe fizike. Pas abortit medicinal, shumë gra raportojnë përvoja të ndryshme, përfshirë dhimbje, ndryshime hormonale, shëndetësore dhe emocionale.

Për disa gra, ky proces mund të jetë një periudhë sfiduese dhe mund të kërkojë kohë për të rimarrë veten dhe për t’u përshtatur me ndryshimet e ndërthurura në jetën e tyre. Kjo ndikon në jetën e tyre personale dhe profesionale. Dr. Mimoza Keta thotë se, mjekët luajnë rol kyç në ndihmën dhe mbështetjen e pacientit gjatë këtij procesi. Në komunikimin e tyre me pacienten, ata japin informacion të plotë mbi procedurën dhe pasojat në situatën e pacientit. Sipas saj, duke marrë pilula pa rekomandimin e mjekut, veçse rrezikojnë shëndetin.

Kostot afatgjatë të një aborti medicinal mund të ndryshojnë në varësi të shumë faktorëve, përfshirë vendndodhjen gjeografike, shërbimet shëndetësore dhe specifikat e rastit të çdo pacienti.

Sipas mjekës obstetër Denisa Bajraktari, është e rëndësishme të përfshihen politikat publike dhe ndërhyrjet sociale në diskutimin mbi efektet ekonomike të një aborti. “Rregullimi i qasjes në shërbimet shëndetësore, edukimi seksual dhe mbështetja për familjet janë faktorë që mund të ndikojnë në vendimet dhe pasojat ekonomike të një aborti”, – thotë doktoresha.

Abortet sipas qarqeve

INSTAT raportoi se në vitin 2022 kishte 170 aborte për 1000 lindje nga 164 që ishte ky tregues më 2021. Numri i aborteve në vitin 2022 ishte 4.199. Raporti lindje-abort tregon se për çdo 5,9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort. Abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve, duke përbërë 83,9% të totalit. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grupmoshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grupmosha më riprodhuese e gruas.

Abortet klasifikohen në spontane dhe të provokuara. Aborti i provokuar është një veprim i ndërmarrë me qëllim për të ndërprerë barrën, kryesisht për arsye shëndetësore. Të gjitha abortet e tjera konsiderohen spontane. Raporti i abortit për grupmoshën 15-19 vjeç rezulton të jetë i lartë në moshën 19-vjeçare, ku vihet re vlera më e lartë të këtij treguesi: 119 aborte për 1.000 lindje të gjalla.

Ndër vite, vihet re se gratë me nivel më të ulët arsimor kanë përqindjen më të lartë të aborteve të kryera. Vitin e kaluar 29,4% e grave me arsim 9-vjeçar kryen aborte, përkundrejt 24,6% e grave me arsim të lartë. Sipas statusit martesor, 71,6% e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 7,5% nga gratë beqare. Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta.

Në vitin 2022, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi rënie prej 1,7 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar. Vit pas viti, abortet spontane po rriten, për arsye të komplikacioneve. Mjekët obstetër shpjegojnë se martesat në mosha të mëdha dhe niveli i lartë i ndotjes shpesh bëhen shkak për ndërprerje jo të vullnetshme të shtatzënive.

Një studim rajonal ka gjetur se në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit ka ulje të fertilitetit dhe nivel të lartë abortesh nga ndotja shumë e lartë se normat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndikimi ekonomik i një aborti

Një nga efektet më të mëdha të legalizimit të abortit është rënia e nivelit të fertilitetit, si dhe e popullatës. Ky trend botëror po vihet re edhe në vendin tonë. Aborti u bë i ligjshëm në Shqipëri në dhjetor të vitit 1995, ndërsa sipas të dhënave të raportit të survejimit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), vetëm në 7 vitet e fundit, ka pasur mbi 29 mijë aborte në të gjithë vendin. Sipas ekspertëve, legalizimi i abortit ndryshon modelin familjar: më pak fëmijë rriten në familjet me një prind, më pak fëmijë rriten në qendra sociale dhe më pak në varfëri. Ndërsa abortet mendohet se rrisin nivelin e mirëqenies për fëmijët e lindur, nga ana tjetër, ata gjithashtu heqin barrën nga tatimpaguesi.

Pohimi se, duke eliminuar një popullsi përmes abortit, sjell më pak shpenzime për ushqim, veshje dhe rritje për të, injoron faktin se në këtë mënyrë shkatërron një popullsi që do të ishte në të ardhmen forcë pune. Në një humbje prej 29 mijë personash në 5 vitet e fundit, që do të kishin qenë anëtarë të shoqërisë, pas 13 vitesh ata do të ishin në moshën për të marrë pjesë aktive në forcën e punës.

Ka gjithmonë një arsye pse një vajzë apo grua kërkon të abortojë një fëmijë. Ashtu sikurse është edhe shpërndarja e aborteve, që kryesisht vjen nga rrethet. Sipas mjekes obstetre Denisa Bajraktari, ka shumë që abortojnë edhe fëmijën e parë, dhe kjo ndodh te vajzat e reja që nuk kanë një jetesë të qëndrueshme, nuk kanë një lidhje serioze.

Ashtu sikurse ka gra që abortojnë të dytin, të tretin. Janë shumë të tilla nga zonat rurale, por edhe nga Tirana, pohon ajo.

Por, nuk përjashtohen as faktorë të tjerë socialë. “Pasiguria ekonomike, mungesa e informacionit, mospërdorimi i kontraceptivëve nga frika e efekteve anësore, mungesa e planifikimit familjar në shumë familje, janë të gjitha arsye për t’u konsideruar”, shton mjekja.

Stigma sociale

Stigma sociale e një aborti është një realitet për shumë gra në shumë pjesë të botës. Stigmatizimi i abortit vjen nga besime, vlera, dhe norma sociale të caktuara dhe ka ndikim të madh në jetën e atyre që kanë zgjedhur të kryejnë një abort, si dhe në atë të mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë që ofrojnë këtë shërbim.

Në disa raste, stigma sociale e një aborti mund të shprehet në mënyrën se si shoqëria i shih dhe trajton gratë që kanë pësuar një abort. Kjo mund të çojë në ndjesi fajësimi, gjykim të hapur, apo mohim të mbështetjes dhe kujdesit. Një grua mund të ndiejë presion nga shoqëria për të mbajtur shtatzëninë, edhe nëse ky nuk është një vendim i dëshiruar ose i arsyetueshëm për të.

Sipas psikologëve, stigmatizimi i abortit mund të çojë në ndikime psikologjike dhe emocionale të thella. Gratë që përjetojnë këtë stigmatizim mund të ndihen të izoluara, të pasigurta dhe të ndiejnë një barrë të rënduar shoqërore mbi shpatulla tyre.

“Është e rëndësishme të theksohet se aborti është një zgjedhje personale dhe komplekse. Çdo grua ka të drejtën të vendosë për trupin e saj dhe për jetën e saj.

Përkundër stigmatizimit, organizata dhe grupe mbrojtëse të të drejtave të grave punojnë për të ulur këtë stigmë dhe për të promovuar një qasje më të mirë ndaj grave që kanë zgjedhur të kryejnë abort”, – thotë psikologia Valentina Telhaj.

Sipas saj, është e rëndësishme të ndërmerren hapat drejt ndryshimit të opinionit publik dhe për të krijuar një mjedis më mbështetës dhe të kuptueshëm për gratë që kanë pësuar abort.

“Edukimi publik, dialogu i hapur dhe ndërgjegjësimi janë disa nga mjetet që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e stigmatizimit dhe në krijimin e një shoqërie më tolerante dhe respektuese ndaj zgjedhjeve të grave”, -përfundon ajo.

A lidhet aborti vetëm me mungesën e parave?

Aborti nuk lidhet vetëm me mungesën e parave; është një vendim kompleks dhe ndikon prej faktorëve të ndryshëm. Për disa gra, mungesa e burimeve financiare mund të jetë një nga shkaqet që ndikojnë në vendimin për të kryer një abort, por ka shumë faktorë të tjerë që mund të ndikojnë këtë zgjedhje. Sipas sociologes Marsida Simo, arsyet për abort mund të përfshijnë:

1. Mungesa e përgatitjes për një fëmijë:

Një person ose një çift mund të jenë të pavetëdijshëm ose të ndihen të paaftë për t’i ofruar një fëmije një mjedis të përshtatshëm dhe kujdesin e nevojshëm.

2. Çështjet shëndetësore:

Problemet shëndetësore të grave ose foshnjës mund të jenë një shqetësim serioz dhe të ndikojnë në vendimin për abort.

3. Marrëdhëniet ndërmjet prindërve:

Konfliktet në marrëdhëniet ndërmjet prindërve, pabarazitë gjinore, apo mungesa e mbështetjes sociale mund të ndikojnë në zgjedhjen për abort.

4. Shkollimi dhe karriera:

Në disa raste, mund të ketë shqetësime në lidhje me ndikimin e një fëmije në shkollim dhe karrierë, duke çuar në vendimin për të kryer një abort, për të vazhduar edukimin dhe zhvillimin profesional.

5. Mungesa e përgatitjes emocionale:

Një person mund të ndihet se nuk është gati emocionalisht për prindërimin dhe vendos të bëjë abort për këtë arsye.

6. Rrethanat ekonomike:

Pabarazitë ekonomike mund të jenë një faktor në vendimin për të kryer një abort, por nuk janë gjithmonë shkaqet kryesore. /Monitor