MENU
klinika

Shtegu i Goricës

Atraksioni më i ri turistik në Berat

26.02.2024 - 13:37

Një atraksion i ri turistik i është shtuar Beratit për aventurierët dhe të dashuruarit pas natyrës.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ndau pamje nga shtegu i Goricës, një destinacion me vlera kulturore dhe natyrore.

Në këtë shteg është vendosur edhe një pikë vrojtimi me konstruksion druri për vizitorët.

“Një shëtitje eksploruese, me shtegun e pastruar dhe sistemuar duke ruajtur habitatin natyror të zonës, në ajrin e pastër të qytetit tonë, me një bukuri panoramike të rrallë, çfarë duhet më shumë? Foto të bukura? Kemi menduar edhe për këtë! Mund t’i bëni edhe ato në sheshin mbi rrënojat e kalasë së Goricës. Aty do të gjeni pikën e vrojtimin me konstruksion druri. 180 gradë mbi qytetin, kur ke në pëllëmbë të dorës Kalanë, luginën e lumit Osum, gjithë qytetin 2500-vjeçar”, tha Demo.

Shtegu ndodhet mbi kodrën e lagjes “Goricë” dhe pamja që shfaqet në ngjitje të tij është e mrekullueshme. Në këtë shteg ndodhen edhe rrënojat e kalasë së Goricës, të cilat datojnë që në gjysmën e parë të shekullit III.

Shtimi i kërkesave të vizitorëve për itinerare natyrore të reja ka bërë që të hapet edhe ky shteg dhe të vendoset në udhërrëfyesit që u ofrohen vizitorëve.