Muzeu Ikonografik “Onufri” ka shënuar rritje të vizitueshmërisë nga viti në vit. Kjo falë edhe teknologjisë, e cila në këtë rast ka ndihmuar në lehtësimin e dhënies së informacionit mbi thesaret që ruhen në këtë muze.
“Të lumtur tek shohim rritjen e interesit të vizitorëve në Muzeun Ikonografik “Onufri” për audioguidën që plotëson në mënyrë profesionale informacionin e detajuar për thesaret muzeore që i ekspozojmë publikut”, shkruhet në faqen e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat.
Muzeu Ikonografik “Onufri” për vitin 2023 regjistroi 1240 vizitorë më shumë se një vit më parë. Turistët e huaj kanë preferuar ta vizitojnë muzeun duke përdorur këtë shërbim që vjen në gjuhët shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.