Banka Evropiane e Investimeve ka investuar një vlerë rekord prej 1,2 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor në 2023. 365 milionë euro më shumë se në 2022. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për projekte në transport, energji dhe bizneset e vogla e të mesme, ndërkohë që në Shqipëria Banka ofroi mbështetje për përgatitjen dhe zbatimin e një projekti të shpërndarjes së ujit në Tiranë
Banka Evropiane e Investimeve ka investuar një vlerë rekord prej 1,2 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor në 2023, të cilat synojnë të mobilizojnë mbi 6 miliardë euro në investime të reja në rajon. Shifrat janë bërë publike përmes një deklarate zyrtare të BEI Globale, krahu financiar i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për aktivitete jashtë BE-së. Në deklaratë Banka bën me dije se volumi i investimeve ishte 365 milionë euro më shumë se në 2022. Investimet shkuan në projekte të qëndrueshme dhe të tranzicionit energjetik që mbështesin përpjekjet e rajonit për anëtarësim në BE, si dhe përpjekjet ekonomike, klimatike dhe ato të lidhjes.
Financimet do kontribuojnë në lidhjen, tranzicionin e energjisë dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, në përputhje me prioritetet e BE. Specifikisht për Shqipërinë, Banka ofroi mbështetje teknike këshillimore për përgatitjen dhe zbatimin e një projekti të shpërndarjes së ujit në Tiranë.
Ndërkaq, pjesa më e madhe e fondeve të reja (58%, ose 693 milionë euro) është ndarë për transport më të sigurt dhe të qëndrueshëm, përkatësisht për linjat hekurudhore në Serbi (Beograd-Nish) dhe Maqedoninë e Veriut (Kriva-Palanka-kufiri me Bullgarinë). Banka e BE-së nënshkroi fonde shtesë për modernizimin e transportit urban në Sarajevë dhe një projekt për rehabilitimin dhe sigurinë e rrugëve në Serbi. 275 milionë euro (23% e financimit total në 2023) iu kushtuan mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme (NVM) në Ballkanin Perëndimor. Fondet e mbetura do të shkojnë për projektet e energjisë, ujit, shëndetësisë dhe arsimit.
Nga ana tjetër, Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të BEI-t, filloi zbatimin e instrumentit të një garancie për qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që pritet të zhbllokojë rreth 700 milionë euro për këto kompani në rajon. Që nga viti 2010, BEI ka investuar mbi 10 miliardë euro në rajon për të ndihmuar ekonomitë vendase të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.