MENU
klinika

“Bashkimi është forcë dhe jo dobësi”

Bardhi flet nga selia e PD dhe konfirmon bashkimin me Berishën

12.02.2024 - 18:04

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka zyrtarizuar bashkimin përfundimtar me grupin e Sali Berishës. Ai për herë të parë pas dy vitesh mbajti një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, pak para nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar, të thirrur prej tij.

Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se dy vitet e fundit ishin shumë të vështira dhe sollën kosto të mëdha për demokratët. Por siç theksoi ai, sot grupi i tij është bashkuar përfundimisht me atë të Rithemelimit.

Bardhi deklaroi se bashkimi është forcë e jo dobësi, si dhe e vemja rrugë për një mëndje racionale. Bardhi zbuloi se pas bashkimit, dy grupet të ulen në bazë dhe do të fillojnë organizimin e partisë.

Fjala e plotë e Gazment Bardhit:

Para 34 vitesh shpresën e një vendi të terrorizuar, të izoluar e të varfër përtej mjerimit e ktheu lindja e Partisë Demokratike, si shprehja më sublime e një populli që kërkonte liri dhe demokraci.

Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit.

Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti së bashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike.

Shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë!

Të dashur qytetarë shqiptarë! Të dashur demokratë!

Ne jemi sot shume më mirë se 1 vit më parë, por akoma nuk jemi në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve ndaj nesh. Ne vërtetë sot nuk luftojmë për ekzistencë si 1 apo 2 vite më parë, por sërish përballemi me një diversioni antidemokratik, i cili akoma është shumë i strukturuar dhe i shumëllojtë. Kam bindjen dhe besimin absolut se ne do t’ia dalim të kapërcejmë pengesat që na vendosin përpara, duke punuar së bashku këtu në seli, në grupin parlamentar dhe në çdo lagje e familje shqiptare.

Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre.

Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë.