Qendra financiare e Gjermanisë, Frankfurti mbi Main, u përzgjodh ndër tetë konkurues të tjerë për vendosjen e selisë së Autoritetit të BE-së kundër Pastrimit të Parasë (AMLA).
Një strukturë e re e Bashkimit Europian e konceptuar për të ndaluar pastrimin e parave dhe skemat për anashkalimin e sanksioneve do ta ketë bazën në Gjermani, në qytetin Frankfurt mbi Main, komunikoi presidenca belge e BE-së të enjten (22.02.2024).
Nëntë qytete konkurruan për vendosjen e selisë së autoritetit të BE-së AMLA (Anti-Money Laundering Authority): Brukseli, Dublini, Frankfurti, Madridi, Parisi, Riga, Roma, Vjena dhe Vilna. Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian ranë dakord, që agjencia të vendoset në qytetin qendër të financave të Gjermanisë, Frankfurt, ku e ka selinë edhe Banka Qendrore Europiane.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha, se ky vendim do ta forcojë edhe më shumë Frankfurtin si një qendër financiare europiane.AMLA do të luftojë aktivitetet ilegale financiare në BE
Agjencia, që do të luftojë pastrimin e parasë dhe terrorizmin financiar, do të ketë një personel prej rreth 400 punonjësish dhe do të nisë nga puna në vitin 2025.
Mungesa e një autoriteti të BE-së për të kontrolluar paratë ilegale e nxiti Komisionin e BE-së që të diskutojë në vitin 2021 lidhur me konceptimin e strukturës AMLA, që do të ndihmojë në koordinimin e luftës kundër aktiviteteve ilegale ndërkufitare financiare.
AMLA do të ketë kompetenca mbikqyrëse si dhe penalizuese në rastet e shkeljeve serioze ose të përsëritura.Parlamenti i BE-së i involvuar në procesin e vendimmarrjes
Me votimin nga eurodeputetët të enjten (22.02.2024) ishte hera e parë që Parlamenti i BE-së u involvua në një process për përzgjedhjen e venddodhjes së një agjencie të BE-së.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, u përpoq fort që Frankfurti të ishte selia e këtij autoriteti të BE-së, vuri në dukje ministria duke nënvizuar, se “jemi të kënaqur që përpjekja jonë rezultoi me sukses.” “Luftimi i krimit financiar është një prioritet kryesor për Gjermaninë dhe BE-në, e kjo do të vihet në jetë përmes AMLA-s në Frankfurt”, shkruajti në platformën X Ministria e Financave./DW