Deri në fund të vitit 2023, rusët kanë regjistruar rreth 9,000 kompani të reja në Serbi, ndërsa këtë vit numri i tyre duhet të jetë edhe më i madh, sipas të dhënave të Agjencisë Serbe për Regjistrimin e Kompanive. Shifrat pasqyrojnë interesin e komunitetit rus për të hedhur rrënjë pothuajse dy vjet pasi pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi ardhjen e rreth 370,000 rusëve në Serbi, shkruan “The Moscow Times”.
Në muajt e parë pas fillimit të pushtimit, rusët e sapoardhur hapën restorante, bare dhe sallone bukurie. Disa prej tyre, sipas hulumtimit të Qendrës për Politika Evropiane, ishin biznese të hapura nga emigrantët për të marrë një leje qëndrimi të përkohshëm në Serbi. Sidoqoftë, në fund të vitit 2023, rusët në Beograd dhe Novi Sad po hapin gjithnjë e më shumë kopshte, dyqane online, objekte prodhimi, kompani të pasurive të paluajtshme dhe hapësira bashkëpunimi.
Ka edhe kompani nga fusha e IT-së, zhvillimit të softuerit, konsulencës ligjore apo biznesi, të cilat i shfrytëzojnë privilegjet që u janë dhënë nga autoritetet serbe. Këta emigrantë duket “jetojnë në një botë paralele, në një lloj Moske të vogël” dhe shumica e kompanive të tyre rekrutojnë në mënyrë aktive rusët. Rritja e kompanive në pronësi të emigrantëve nxitet nga rritja e lidhjeve ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë.
rbia po i reziston presionit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës dhe për të prishur lidhjet miqësore me atë vend. Ndërsa Brukseli dhe Londra shprehin shqetësimin për forcimin e lidhjeve midis Rusisë dhe Serbisë, dhe Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron e quan Serbinë një “prokurë ruse”, Beogradi po e mirëpret fluksin e emigrantëve të rinj.