Ndërmerrni politika që të mos ikin dhe krijoni kushte që të kthehen të larguarit. Ishte ky mesazhi kryesor që ekonomistët e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim përcollën gjatë prezantimit të raportit të përvitshëm të tranzicionit për Shqipërinë.
“Mendoj se duhet të vazhdoni të trajnoni njerëzit që keni. Nëse keni njerëz që largohen në një kohë të shkurtër, ju duhet të investoni edhe më shumë për trajnimin dhe aftësitë e tyre. Më pas, duhet të krijoni edhe një mjedis të përshtatshëm që disa nga këta njerëz të kthehen, për të sjellë eksperiencën e tyre”, u shpreh Alexander Plekhanov, drejtor i BERZH për Impaktin në Tranzicion.
Humbja e kapitalit njerëzor vlerësohet si rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë, ndaj institucionet ndërkombëtare, përfshirë BERZH rekomandojnë fuqizimin e “ekonomisë periferike.”
“Në qoftë se nuk ndërhymë me masa konkrete, veçanërisht në zonat e largëta, ato rurale duke mbështetur, fermerin, bujqësinë apo agroturizmin, njerëzit nuk do të kenë një arsye se pse të qëndrojnë. Kjo do të thotë që ne nuk kemi bërë asgjë” , deklaroi eksperti Haxhimali.
Për të mbajtur njerëzit në vend, BERZH i rekomandon qeverisë shqiptare që të mirë-menaxhojë të ardhurat, borxhin të monitorojë kursin e këmbimit dhe mbi të gjitha të mbrojë shtresat më në nevojë.
“Shqipëria ka 12 rajone, dhe në 11 prej tyre popullsia është drejt reduktimit. Në qytete, qyteza e fshatra po ka më pak banorë. E vetmja që nuk është prekur është Tirana për shkak se është epiqendra e zhvillimit të jetës sociale dhe ekonomike.”
Në raportin e fundit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi se shqiptarët janë jo shumë të kënaqur me jetesën e tyre. Ky tregues i përkeqësua me gati dy pikë në raport me 2022-shin.