“Nuk mund t’i zgjidhim vetëm problemet e botës. Na duhet të punojmë me vendet e tjera”. Është doktrina më të cilën ka zgjedhur të përfaqësohet, veterani i politikës së jashtme në Shtetet e Bashkuara, mbështetës i flaktë i aleancave transatlantike, Antony Blinken.
Karrierën e tij e ndërtoi mbi qasjen agresive për të ndërhyrë në mbrojtjen e lirive dhe demokracive rreth botës . Një diplomat karriere, pa pompozitetin, ambicien apo profilin global të pasardhësve të tij, ne krye të departamentit të shtetit Blinkenit ju desh të menaxhonte disa prej krizave më të rënda të kohës sonë; shpesh duke tejkaluar në maturi shefin në Shtëpinë e Bardhë, por pa e eklipsuar në asnjë rast.
Për këtë e kanë pagëzuar si ndihmësin ideal të Joe Biden, edhe për faktin se bashkëpunimi mes tyre I ka rrënjët e thella, që kur Blinken shërbente si fillimisht si këshilltar për sigurinë në administratën Obama e më pas si ndihmës sekretari i shtetit. Megjithëse me vizion gati te njëjtë, Blinken, pati përplasje me shefin e tij, kur mbështeti ndërhyrjen ushtarake ne Libi.
Pas ardhjes në detyrë, Blinken u vu menjëherë në qendër të vëmendjes me tërheqjen kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani verën e vitit 2021. Në mesin e stuhisë së kritikave që shënjestruan shtëpinë e bardhë, ai pranoi se më shumë duhej të ishte bërë nga Departamenti i Shtetit për të parandaluar skenarin e ardhjes së talebanëve në pushtet.
Pas tërheqjes problematike nga Afganistani, Blinken punoi për të rigjallëruar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me BE, Kinën dhe një numër rajonesh të tjera, përfshirë Ballkanin Perëndimor. U përpoq të bindte kinën të hiqte dore nga aktet agresive në Detin e Kinës Jugore dhe kudo tjetër, ndërsa loboi mbi nevojën e mbajtjes hapur të kanaleve të komunikimit mes Uashingtonit dhe Pekinit. Por momentet më vendimtare në skenën botërore erdhën pas luftërave në Ukrainë dhe Gaza.
Departamenti i Shtetit, i drejtuar prej tij autorizoi dërgesat me armatime dhe ndihma në Ukrainë pas sulmit rus në fillimet e 2022-shit. Një ithtar i diplomacisë fluturuese, dhe bisedimeve fizike si çelës për zgjidhje ka udhëtuar disa herë në shtetin në luftë. Të njëjtën doktrinë çoi përpara edhe në konfliktin mes izraelit dhe Hamasit, ku po përpiqet të ndërmjetësojë paqen përmes udhëtimeve të shumta e takimeve me liderët arabë në rajon.
Pavarësisht kritikave për qasjen amerikane, në mbrojtje të fushatës izraelite kundër Hamasit, ka kërkuar vazhdimisht pauza humanitare për të mundësuar hyrjen e ndihmave dhe mbrojtjen e jetëve civile. Si shef I diplomacisë amerikane, është angazhuar për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin perëndimor; me fokus të veçantë tek parandalimi i rikthimit të konflikteve në Bosnje-Hercegovina dhe Kosovë. Nën drejtimin e tij diplomacia amerikane ka marrë rol kyç në ndërmjetësimin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, por duke ja lënë frerët e dialogut Bashkimit Europian. Nxitës i vazhdueshëm i zgjidhjes përmes dialogut, komentet më të forta e të drejtpërdrejta ndaj Kosovës i bëri pas protestave të dhunshme në Zveçan, ku mbetën të plagosur ushtarë të KFOR-it. Në atë kohë pati dënuar, ato që i quajti veprime të njëanshme të Kosovës, diçka që nxiti replika nga ky kryeministri Kurti. Ky i fundit i cilësoi si naive dhe të padrejta komentet e Blinken. Nën drejtimin e tij, Departamenti i Shtetit çoi përpara agjendën e fortë për mbrojtjen e demokracive rreth botës, duke zgjeruar listën e entiteteve apo individëve të sanksionuar në Ballkanin perëndimor, për aktivitete keqdashëse dhe korrupsion. /A2News