Kryeministrja serbe Ana Brnabiç deklaroi se Serbia do të kërkojë mbajtjen e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe pse nuk do të jetë një seancë e lehtë. Sipas saj, qëllimi kryesor i Albin Kurtit me këto veprime, është spastrimi etnik i serbëve në Kosovë.
“Seanca e Këshillit të Sigurimit dhe lufta e mëtejshme për Kosovën që është pjesë e jona nuk do të jetë e lehtë. E kuptoj se çfarë po bën Kurti, por nuk mund ta kuptoj pse nuk ka reagim më të fortë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha ajo.
Në një intervistë, Brnabiç tha se ndërkombëtarët e kanë pranuar se heqja e dinarit nuk është konsultuar madje nuk është përmendur as nëpër seancat e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Edhe presidenti Aleksandar Vuçiç tha një ditë më parë se qëllimi i Albin Kurtit është spastrimi etnik dhe njohja e pavarësisë, por u garantoi qytetarët serbë se do t’u qëndrojë në mbrojtje.
Ndërkohë SHBA e BE kanë shprehur shqetësimin për këtë vendim të bankës qendrore të Kosovës, jo për përmbajtjen, por për mënyrën se si është marrë ai, pa asnjë konsultim.