MENU
klinika

Në pension 71 vjeç?

Çfarë ekspertize është mbrojtja e një skeme që dështon?

06.02.2024 - 13:06

Gazeta britanike “The Guardian” shkruan sot se ekspertë të ndryshëm po sugjerojnë se mosha e pensionit duhet të kalojë nga 68 vjet në 71 vjeç. Aktualisht mosha e pensionit në Mbretërinë e Bashkuar është 66 vjeç dhe do të rritet në 68 duke nisur nga viti 2044. Pra brezi i ardhshëm i pensionistëve do të jetë 68, por edhe kjo nuk mjafton.

“Në Mbretërinë e Bashkuar mosha e pensionit shtetëror do të duhet të jetë 70-71 krahasuar me 66 që është tani për të mbajtur status quonë e numrit të punëtorëve për pensionist shtetëror.”

citohet Les Mayhew, bashkëkryetar i kërkimit global në Qendrën Ndërkombëtare të Jetëgjatësisë.

Sipas tij madje, nëse në ekuacion do të fusim edhe parandalimin e sëmundjeve, atëherë do të duhet të jetë edhe më shumë. Sipas statistikave në Angli dhe Uells sot, vetëm 50% e të rriturve janë të aftë për punë dhe pa probleme shëndeti. Sugjerimi këtu është mbi bazë aritmetike dhe nuk ka nevojë për ekspertizë: sa më shumë pleq që jetojnë përherë e më gjatë, aq më e madhe pesha financiare për të paguar. Sepse edhe forca punëtore, pra kontributive ulet. Mirëpo problemi që këtu është irritues është fakti se një njeri paguan kontributet për pensionin e vet, ndërkohë që kriza e pensioneve në vende me moshë të plakur të popullsisë, reflekton faktin se kontributi i gjithësecilit shkon në të vërtetë për pensionin e brezit paraardhës.

Ky është një problem i skemave publike, jo i atyre private ku merr aq para sa ke dhënë. Ajo që është e padrejtë – dhe aplikohet edhe në vendin tonë – është se fondi i pensioneve krijohet përmes një sigurimi të detyrueshëm, i cili vazhdon të jetë i tillë edhe kur ekspertë si këta që flasin këtu sugjerojnë vazhdimisht rritjen e moshës, vetëm për të mos vënë skemën në krizë. Pa kuptuar fare, apo pa i dhënë rëndësi faktit se një njeri nuk vjen dhe ikën nga kjo botë me hallin e pensionit që është shndërruar i tillë pse në këmbë është ngritur një skemë që falimenton me përkufizim.

Rritja e jetëgjatësisë kthehet këtu në faturë për një brez, që rezulton se do të punojë 5-10 vjet më shumë sepsa brezat e shekullit të 20-të, duke e shndërruar moshën e tretë në thelb në një moshë azilimi inaktiv. Të kuptohemi: ka njerëz që punojnë edhe pas moshës 75 vjeç. Por këtu po flasim për punësim në funksion të një skeme e cila është bërë problem thuajse global e zgjidhjen e së cilës e marrim nga ekspertë që thonë: duhet të punohet më shumë.

Sigurisht që për politika të tilla nuk duhen dëgjuar ekspertë, por ka nevojë për qasje tërësisht të re, sepse edhe me pandeminë u proua se pavarësisht kontributit, aksesi në shërbime dhe shëndetësi, nuk është i mundur ashtu si pretendohet. Më mirë pra kursime personale sesa një skemë e detyruar sigurimi që është në fund të fundit një gropë e zezë që vetëm merr dhe shumë pak jep.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria është e papërgatitur për të përballuar plakjen e popullsisë...

Të moshuarit, shumica që do të rimodelojë ekonominë