MENU
klinika

Mori 225 mijë dollarë nga Agron Neza

Charles McGonigal pritet të dënohet sot për çështjen shqiptare

16.02.2024 - 19:06

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal do të dalë sot para gjykatës, ku do të marrë dënimin për atë e cila është cilësuar si çështja shqiptare, në të cilën përmendet dhe emri i kryeministrit Edi Rama.

Prokuroria ka kërkuar një dënim me 30 muaj burg dhe 95,000 dollarë gjobë. Nga ana tjetër, avokati i McGonigal kërkon një dënim nga një deri në shtatë muaj, por në fund do të vendos gjykata.

Kujtojmë se ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, është deklaruar fajtor në gjykatën federale të Uashingtonit, duke pranuar se ka fshehur pagesa sekrete të bëra në drejtim të tij nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar Agron Neza.

McGonigal pranoi se ka falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në.

Sipas deklaratës së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ish-agjent i posaçëm i Byrosë Federale të Hetimit i ngarkuar me detyrë në zyrën e Nju Jorkut, pranoi pas marrëveshjes me prokurorët, se 225,000 dollarët i ka marrë nga një individ që kishte interesa biznesi në Europë, teksa po mbikëqyrte punën e kundërzbulimit.

Në dhjetor, McGonigal u dënua në Nju Jork me më shumë se katër vjet burg për punën e tij për një oligark rus të sanksionuar dhe aleat të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin.

Prokurorët në Uashington argumentuan se veprimet e McGonigal “sugjerojnë se ai ishte komprometuar” dhe punësimi pas pensionimit të tij nga FBI “nuk ishte motivimi i tij i vetëm”.

FBI u detyrua gjithashtu të rishikonte hetime të shumta për të cilat ai kishte njohuri për të përcaktuar nëse ato ishin komprometuar, sipas prokurorëve.