Nuk mund ta dimë nëse Vladimir Putin e ka caktuar kohën e vdekjes së Alexei Navalny për të shënuar 10 vjet që nga shkarkimi i përfaqësuesit të tij Viktor Yanukovych nga posti i presidentit ukrainas pas protestave në Sheshin e Pavarësisë së Kievit – apo në të vërtetë dy vjetët e luftës së tij në shkallë të gjerë. Por një simbolikë e tillë morbide kalendrike do të ishte në përputhje me karakterin e tij.
Ajo për të cilën duhet të jemi të sigurt është se vrasja e Navalny dhe sulmi ndaj Ukrainës janë dy çështje të lidhura me njëra-tjetrën. Janë manifestime të së njëjtës bandë mafioze. Për ata që Putini i konsideron se i përkasin atij, çdo dëshirë për t’i shpëtuar pushtetit të tij trajtohet në stilin mafioz, si një tradhti për të cilën asnjë lloj dënimi nuk është i ashpër.
Kjo është arsyeja pse kam shkruar një vit më parë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk është kryesisht një konflikt për territor, apo edhe për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në NATO. Është një luftë për mënyrën e jetesës. Moska ofron vetëm një restaurim neo-sovjetik dhe një lloj pushtimi që zhduk shoqërinë, i imponuar në Evropën Lindore në fund të viteve 1940. Për këtë dëshmon brutaliteti i Donbasit, e lëre më ai në Bucha dhe Ukrainasit janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë.
Lufta e tyre e admirueshme për të mposhtur makinën vrasëse të Rusisë që nga viti 2014 është shoqëruar me një luftë të brendshme po aq mbresëlënëse për t’u çliruar nga trashëgimia e tyre e mënyrave sovjetike – korrupsioni, qeverisja monolit, pabarazia në favor të atyre që kapin shtetin, mbytjes së mendimit dhe fjalës.
As lufta e jashtme dhe as ajo e brendshme nuk është fituar ende nga Putini, por ajo që është thelbësore të kuptohet, është se të dyja janë e njëjta gjë. Nëse miqtë perëndimorë të Ukrainës mund ta kuptojnë plotësisht këtë, ata nuk do të kishin më ndrojtje, e cila dallohet edhe pas kontributeve të mëdha që kanë dhënë për Kievin.
Kjo ndrojtje është më e dukshme në çështjen e armëve. Ukraina po përpiqet të mbajë vijën e frontit për shkak të mungesës së municioneve. Kundërsulmi i saj ishte i pasuksesshme pjesërisht sepse nuk mundi mjaftueshëm të mbulonte qiellin. Këto mangësi konkrete janë rezultat i mohimit të hershëm të liderëve perëndimorë, ndaj apelit të Kievit për avionë luftarakë ose dështimit të tyre për të përmbushur premtimin e municioneve me veprimet urgjente të nevojshme për prodhimin e tij.
Ende sot, perëndimi heziton të sigurojë armë me rreze të gjatë veprimi që arrijnë deri në Rusi. Megjithatë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më në fund e bëri të qartë këtë muaj, se ligji ndërkombëtar i lejon Ukrainës të mbrohet kundër një lufte agresioni duke goditur objektiva të vlefshme ushtarake brenda vendit agresor. Por e drejta ndërkombëtare nuk ka ndryshuar papritur. Nëse lejohet tani, ajo lejohej edhe dy vite më parë.
Pra, në të gjitha këto raste, një veprim më vendimtar dy vjet më parë do ta kishte lënë Ukrainën dhe perëndimin, në një pozitë shumë më të mirë sot.
E njëjta gjë vlen edhe për masat ekonomike. Sanksionet e perëndimit kanë shumë mangësi, boshllëqe dhe mungesë zbatimi për t’u renditur. Si rezultat, BE-ja i pagoi Rusisë shumë më tepër para për naftë dhe gaz në vitin e parë të luftës në shkallë të plotë sesa i dha Ukrainës në dy pjesë, dhe një biznes i lulëzuar i anashkalimit të sanksioneve është lejuar të lulëzojë. Në vitin e kaluar, sanksionet janë bërë më efektive – por zbatimi i hershëm do të ishte më i mirë.
Dy vjet më parë, vendet perëndimore bllokuan aksesin e Moskës në më shumë se 300 miliardë dollarë rezerva valutore. Ata janë zotuar të mos i zhbllokojnë derisa Moska të kompensojë Ukrainën për shkatërrimin e saj. Por ata nuk kanë guxuar ende ta zbatojnë këtë kompensim duke transferuar asetet në një fond për rindërtimin e Ukrainës.
Nëse, dy vjet më parë, liderët që vendosën të imobilizonin rezervat e Rusisë do të kishin shkuar më tej dhe do t’i kapnin ato plotësisht, ata tani do të mbaheshin në ruajtje për hir të nevojave të ardhshme të Ukrainës, ose tashmë mund të financonin rindërtimin, duke forcuar më tej aftësinë e Ukrainës për të rezistuar.
Mësimi si në anën ushtarake ashtu edhe në atë ekonomike është rreziku i të besuarit në virtytin e kujdesit kur kjo në praktikë do të thotë vonesë. “Kujdesi” i hershëm ka zgjatur vuajtjet në Ukrainë, ka trimëruar diktatorin rus që mendon se mund t’i kalojë përkrahësit perëndimorë të Kievit dhe ka rritur koston e shtyrjes së tij prapa. Çfarëdo që mund të ishte arritur herët, tani mund të arrihet vetëm në më shumë kohë dhe me kosto më të madhe.
Mesazhi i Navalny-t para kthimit të tij të fundit në Rusi ishte se “e vetmja gjë që nevojitet për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë“. E keqja përfiton gjithashtu, kur njerëzit e mirë janë shumë të kujdesshëm. Mos vazhdoni ta bëni atë gabim.
“Financial Times”