MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Diabeti gjatë shtatzënisë, si ndikon tek bebi?

22.02.2024 - 08:36

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Diabeti gjatë shtatzënisë, si ndikon tek bebi?

Mjeku: Shumica e shtatzënave me diabet gestacional do të kenë bebe të shëndetshme në lindje nëse diabeti i shtatzënisë diagnostikohet në kohë. Kjo sepse nivelet e glicemisë (glukoza në gjak) do të mbahen në kontroll. Në rast të kundërt, nivelet e larta të glukozës do të kalojnë placentën dhe do të hyjnë në qarkullimin e gjakut të bebit. Kjo do të rrisë rrezikun që bebi të rritet në peshë përtej normës (bebe makrozom).

Një beb i madh mund të vështirësojë lindjen dhe për pasojë të rrisë rreziqet për komplikacione serioze. Në raste të rralla (ekstreme) këto komplikacione mund të sjellin vdekjen e bebit gjatë lindjes. Një tjetër komplikacion është edhe polihidramnios (sasi më e madhe se norma e lëngut amniotik – ujrave të bebit). Prandaj është e rëndësishme që nivelet e glukozës të mbahen në nivelet normale.

Si ndikon diabeti i shtatzënisë në momentin e lindjes?

Diabeti i shtatzënisë mund të shfaqë shpesh komplikacione gjatë lindjes. Ndër komplikacionet që mund të shkaktojë ai, përmendim:

Lindje premature (para kohe).
Zgjatje të aktivitetit të lindjes.
Vuajtje fetale (suferincë fetale) kronike apo edhe akute (psh gjatë lindjes).
Laceracione cervikale / vaginale / vulvare të nënës gjatë lindjes.
Hemorragji postpartum.
Distoci të shpatullave.
Për të shmangur shumicën e këtyre komplikacioneve, shpeshherë indikohet lindja me stimulim kur bebi ka mbushur 38 javë apo lindja me operacion cezarian.

Si ndikon diabeti i shtatzënisë pas lindjes së bebit?

Bebi i sapolindur mund të shfaqë hipoglicemi (ndërkohë që trupi i tij mundohet të prodhojë sasinë e duhur të insulinës) dhe ikter. Mund të jetë e nevojshme që nivelet e glicemisë së bebit të monitorizohen për disa ditë në njësinë e neonatëve (kjo nuk do të thotë që bebi ka ndonjë problem serioz). Gjithashtu, në rast se lindja ka ndodhur para kohe, atëherë mund të të jetë e nevojshme që bebi të kalojë në njësinë e neonatëve për disa ditë përpara se t’i besohet përfundimisht nënës. Bebet e lindura nga nëna me diabet gestacional janë më të rrezikuar të shfaqin obezitet dhe diabet tip 2 gjatë jetës së tyre.

A do të vazhdojë diabeti edhe pas lindjes?

Kërkohet gjithnjë një kontroll tjetër i glicemisë pas 6 javëve nga lindja. Në shumicën e rasteve glicemia do të jetë normale. Megjithatë në 20% të lehonave pas një shtatzënie me diabet gestacional, diabeti në të vërtetë ka qenë instaluar që përpara shatzanisë. Kështu që një pjesë e tyre do të kenë diabet edhe 6 javë pas lindjes.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga dëshirë për të përtypur akull deri tek...

10 mënyra me të cilat trupi juaj po thotë se diçka nuk shkon