MENU
klinika

Kërcënimi i vetëm mbetet gjendja e ekonomisë amerikane

Dollari, dominues në tregtinë ndërkombëtare

22.02.2024 - 20:19

Dollari pritet të mbetet dominues në skenën ekonomike botërore dhe në rezervat ndërkombëtare për shumë vite në vijim, pavarësisht përpjekjeve të bashkërenduara të forcave më të vogla ekonomike për ta zbritur atë nga froni. I vetmi kërcënim i menjëhershëm me të cilin përballet monedha amerikane është gjendja e vetë ekonomisë amerikane, siç paralajmërojnë disa ekonomistë.

Dollari është monedha më e përdorur në tregtinë ndërkombëtare dhe si monedhë rezervë në bankat qendrore në mbarë botën. Sipas një studimi të ri, kjo situatë nuk pritet të ndryshojë.

Në mënyrë të detajuar, monedha amerikane është përdorur për 88% të transaksioneve ditore në tregtinë ndërkombëtare, sipas të dhënave më të fundit të Bankës për Shlyerjet Ndërkombëtare, të cituara nga Business Insider. Ajo përbënte gjithashtu 55% të rezervave valutore në bankat qendrore në mbarë botën të paktën që nga tremujori i tretë i 2023-shit, duke tejkaluar shumë çdo monedhë tjetër të huaj, tregojnë të dhënat e FMN.

Disa ekonomistë shqetësohen se një monedhë rivale mund të zëvendësojë dollarin. Përveç kësaj, BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – tashmë po përpiqen të reduktojnë përdorimin e dollarit në tregti, ndërsa Rusia dhe Kina në veçanti kanë propozuar krijimin e një monedhe të re konkurruese. Megjithatë, ekonomistët theksojnë se këto kërcënime janë shumë të vogla në krahasim me dëmin që mund t’i bëjë dollarit një ‘përkeqësim i rëndë’ i gjendjes së ekonomisë amerikane.

Studimi gjithashtu identifikon një tjetër rrezik për dollarin, nga fragmentimi i ekonomive globale në blloqe të veçanta. Në këtë rast tregtia botërore, produktiviteti dhe rritja ekonomike do të ishin të ulëta dhe implikimet për stabilitetin politik dhe ushtarak ndërkombëtar do të ishin negative.

Sigurisht, ka edhe ekonomistë të tjerë që kanë paralajmëruar se pasiguritë në situatën fiskale në SHBA mund të rëndojnë mbi dominimin e dollarit në tregjet globale. Deficiti buxhetor pritet të kalojë 1.6 trilionë dollarë këtë vit dhe 2.6 trilion dollarë dhjetë vjet nga tani, sipas të dhënave nga Zyra e Buxhetit të Kongresit të SHBA.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Economist/ A do qëndroj "miku më i mirë" deri në fund?

Rusia me sytë nga ‘hidraulika’ financiare kineze