Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka treguar arsyet pse u votua pro marrëveshjes për emigrantët me Italinë. Në një intervistë për News24, Idrizi u shpreh se ka qenë një vendim politik dhe gjeopolitik, që kjo forcë politike ka marrë, për të treguar që Italia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë.
Sipas Idrizit, rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Athina apo Fredi Beleri, por kalon nga Roma, Berlini, Parisi apo Uashingtoni.
Sipas Idrizit nga pikëpamja formale, edhe opozita nuk ka qenë kundër, por e çuan në Gjykatë Kushtetuese sepse kishte paqartësi në lidhje me përputhshmërinë kushtetuese.
“Ishte një marrëveshje e rëndësishme në kuptimin e partnerëve strategjik dhe të rëndësishëm që ka Shqipëria. Ka qenë një vendim politik i PDIU për arsyen e thjeshtë se mazhoranca i kishte 74 votat për ta kaluar këtë marrëveshje, në morëm një vendim politik dhe gjeopolitik për të treguar që ne e konsiderojmë Italinë një partner të rëndësishëm një vend që jemi mirënjohës për përkrahjen historike që ka dhënë karshi Shqipërisë, pse jo për të thënë që për PDIU rruga drejt BE nuk kalon nga Athina dhe Fredi Beleri, por kalon nga Roma, Berlini, Parisi, Londra dhe Uashingtoni. Këto kanë qenë arsyet. PDIU nuk ka votuar që në Shqipëri të vijonë iranianet, afganët, ka qenë kundër marrëveshjes së ujerave për rastin Beleri. Italia nuk është një rast që ta vendosim në konstekstin pozitë opozitë, por është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë.
Opozita nga pikëpamja formale nuk shpreh kundërshti, por tha që do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese, sepse ajo që dukej e paqartë ishte që kjo marrëveshje a ishte ne përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar”, tha Idrizi.
Ai i dha përgjigje të gjithë skeptikëve duke u shprehur se nuk ishte bashkim votash me PS, pasi socialistet i kishin vetë votat, madje theksoi se nuk ka asnjë afrimitet me PS.
Idrizi: Nuk ka qenë një bashkim me votat e PS, madje PS as nuk e ka ditur si do votojnë tre deputetet e PDIU.
Pyetje: Pra nuk nënkupton një afrim me PS?
Idrizi: Absolutisht jo, nuk ka të bëjë me këtë. Nëse do të shihni kontestin, edhe këta që janë në opozitë, po të ishin në mazhorancë do ta votonin këtë marrëveshje.