Arjan Gjonçaj, Profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE) tha përmes një interviste televizive se lindshmëria në Shqipëri varet nga emigracioni i të rinjve dhe dëshira për të bërë fëmijë duke shtuar se ulja e numrit të lindjeve në 2023 me 10% në krahasim me një vit më parë nuk është surprizë.
Duke vijuar më tej, Gjonçaj tha se duhen politika zhvillimore që synojnë të rinjtë në mënyrë që t’i nxisë ata të bëjnë fëmijë.
Sipas Gjonçajt, bonusi i bebes nuk është politikë afatgjatë dhe nuk sjell rritjen e lindshmërisë, por të varfërisë.
“Nuk është surprizë, është diçka që ne e prisnim. Lindshmëria në Shqipëri varet nga emigracioni i të rinjve, nuk ka njerëz që të bëjnë fëmijë se kanë ikur dhe e dyta është ulur dëshira për të pasur më shumë se 1-2 fëmijë. Kësaj s’ kemi çfarë i bëjmë se ndodh dhe në vendet e zhvilluara.
E para është fenomen i përgjithshëm, është i Ballkanit, por edhe i Evropës Lindore.
Duhen politika. Duhet politika zhvillimore që synojnë të ndryshojnë jetën e të rinjve. Janë dhe politikat e lindshmërinë. E zëmë se ndaluam emigracionin, si do i shtysh të bëjnë fëmijë?
Politikat financiare dhe të kujdesit. Qeveria ka politikën e bonusit, kjo nuk sjell rritjen e lindshmërisë, por të varfërisë. Nuk është politikë afatgjatë. Politika afatgjate janë ato siç i ka Gjermania, Suedia. Nëse do japësh bonus fëmije, duhet të jetë deri në 16 vjeç. Duhet të krijosh falas kushtet në kopshte çerdhe.
Do që të bësh që gratë të bëjnë fëmijë? Duhet të ndjekësh politika të barazisë gjinore. Janë politika holistike që duhen ndjekur.”, tha Gjonçaj.