MENU
klinika

Nga njohja e targave, te shkatërrimi i “Ballkanit të Hapur”

Fitoret e mëdha të amerikanëve nëpërmjet Albin Kurtit në Serbi

01.02.2024 - 11:29

Gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë një kryeministër si Albin Kurti që në publik shfaqet sikur del kundër amerikanëve, por në prapaskenë zbaton me përpikëri çdo plan të tyre. Janë SHBA që luajnë “fijet” dhe lideri kosovar nuk bën dot asnjë gjë jashtë urdhrave të Uashingtoni. Në çdo situatë është përdorur e njëjta skemë. Kurti nxjerr një vendim, ose e kundërshton dhe në fund vjen një telefonatë nga Uashingtoni drejt Albin Kurtit e ky i fundit vihet menjëherë në rresht. Por le të marrim disa zhvillime kohëve të fundit, ku kreu i qeverisë në Kosovë ka qenë në qendër të vëmendjes së ndërkombëtarëve dhe ka patur presione të shumta si nga kosovarët, nga rajoni, por edhe nga ndërkombëtarët. Koha ka treguar në fund se çdo gjë ka qenë e planifikuar. Madje zërat dhe sulmet ndaj tij arritën deri aty sa u hodhën lajme se Kurti do të futej në “listën e zezë” të SHBA, por amerikanët deklaruan se lideri kosovar është aleati i tyre.

Njohja e targave

Fitorja e parë e Albin Kurtit dhe historikja ndaj Serbisë është padyshim njohja e targave. Prej një janarit të këtij viti, makinat me targat e Kosovës (RKS) do të mund të lëvizin lirshëm nëpër territorin e Serbisë. Vendimi prej qeverisë serbe për këtë u mor më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, ndërkohë që autoritet serbe, midis tyre edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiç, e quajtën atë një vendim “për të ndihmuar qytetarët serbë” të Kosovës. Para janarit, makinat me traga të Kosovës që hynin në Serbi, detyroheshin të mbulonin targat (RKS) me një shirit letre kur hynin atje. Propaganda serbe kishte bërë që qytetarët serbë të Kosovës, të merrnin targa të shtetit serb për makinat e tyre. Kur qeveria e Kosovës vuri kushte për t’u pajisur detyrimisht me targat e saj, atëherë qytetarët serbë të Kosovës vendosën t’i binden ligjit të këtij shteti edhe pse para kësaj pati përplasje dhe sulme nda Kurtit. Gradualisht ata u pajisën me targa të Kosovës. Me këtë veprim ata u thane autoriteteve të Beogradit: boll u bëmë viktima të luftës politike midis dy qeverive. Duam të jetojmë të qetë atje ku jemi, pra në Kosovë, duke zbatuar ligjet dhe rregullat e saj. Shkurt, ata i dhanë një shuplakë përpjekjeve të autoriteteve të Beogradit për t’i përdorur për qëllime të mbrapshta. Kjo fitore e Kurtit, erdhi sigurisht nga mbështetja e amerikanëve. Të gjithë sulmonin Kurtin dhe i kërkonin të hapte rrugë pasi do përballej me sanksione, por ky i fundit qëndroi deri në fund dhe jo nga mendja e vet, pasi ky rezultat tregoi se ai ka patur mbështetjen e amerikanëve në prapaskenë.

Marrja nën kontroll e Veriut nga Kosova

Po ashtu zgjedhjet në veri të Kosovës dhe ngjarja e rëndë në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici kosovar shënuan një transformim të madh të situatës mes dy vendeve. Si fillim, tema e zgjedhjeve ka qenë edhe më e përfolura pas lajmeve të prodhuara nga kancelaritë e mëdha ku në qendër u vendos Kosova, për shkak të tensioneve që u shkaktuan vitin e kaluar në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë. Por teksa Kurti të vetmen gjë që bëri ishte zbatimi i Kushtetutës dhe çdo veprim u bë në përputhje të ligjit, strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale, të udhëhequra në prapaskenë nga Beogradi, sulmuan policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Në fund Serbia mori goditjen e madhe, pasi pas sulmit që ndodhi në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023 ku ndodhi edhe vrasja e policit kosovar nga grupi terrorist serb, për herë të parë Prishtina mori gjithë kontrollin e Veriut. Pas ngjarjeve në Banjskë, autoritetet e Prishtinës e shpallën të gjithë veriun e Kosovës zonë potenciale terroriste dhe KFOR me deklarimet e SHBA e NATO qëndron në prapavijë si mbrojtëse e Kosovës, por rol parësor ka policia kosovare. Nga ana tjetër, Kurti arriti që të hiqte politikanin që shkaktonte probleme, sidomos me zgjedhjet në Veri, Radoçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili doli si i implikuar në ngjarjen në Banjskë. Tani Serbia lut Kosovën për të zhvilluar zgjedhjet në Veri.

SHBA blindon Kosovën

Por me këtë situatë, u krijua terreni nga amerikanët nëpërmjet Albin Kurtit që të blindohet Kosova. Shitja e sistemit raketor antitank “Javelin” në Prishtinë erdhi si rezultat i politikës agresive të presidentit Vuçiç dhe armatimit të grupeve paramilitare në përgatitje të skenarit të Donbasit, i pari i të cilit u pa në Banjska më 24 shtator. Kurti arriti të plotësonte tezën që e dinë të gjithë: Nëse kërcënoni një aleat të SHBA-së, atëherë duhet ta dini se SHBA-ja do të armatosë aleatin e saj. SHBA konfirmoi se do të sjellë 246 raketa të këtij lloji që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Nga ana tjetër, NATO përdori këto ngjarje për të zgjatur mandatin e KFOR dhe për të shtruar trupat në Veri.

Shkatërrimi i “Ballkanit të Hapur”

Një tjetër goditje që Albin Kurti i dha Serbisë me ndihmën e ndërkombëtare ishte dhe shkatërrimi i “Ballkanit të Hapur”. Të gjitha planet ruso-serbe të mbështetura nga Vuçiç e Rama u “tretën si kala rëre”, për shkak se SHBA-BE i dhanë përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet një nisme gjithëpërfshirëse. Në shumë takime politike të niveleve të larta, Albin Kurti ka konfirmuar qartë se nuk do të marrë pjesë tek nisma e “Ballkanit të Hapur”, për shkak të interesave të errëta që fshiheshin pas saj. Teza e tij u vërtetua pasi, kryediplomati rus tha disa kohë më parë se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit. “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov. Kjo ishte një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur. Po ashtu Albin Kurti po luan së fundmi dhe kartën që do të pastrojë komplet varësinë e serbëve në Kosovë nga Beogradi. Ai është dinari serb. Kurti edhe këtë herë po kundërshtohet nga ndërkombëtarët se nuk duhet të heqë nga qarkullimi dinarin serb. Por të shohim se çfarë do të sjellë në fund reagimet e forta ndaj tij, ashtu si me ngjarjet që përmendëm më lart. A është dhe dinari serb një skenar i mirëmenduar i ndërkombëtarëve?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"E turpëruar që qytetarët e Kosovës kanë pritur"

Von Cramon: Njohja e targave RKS nga Serbia hap pozitiv!

Çfarë e pengon tregtinë Kosovë - Shqipëri?

Serbia kthehet të ‘pushtojë’ Kosovën me mallra