Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Altin Çokut, i akuzuar për shkaktimin e vetëvrasjes së 27-vjeçares, Sibela Abedini, pak ditë më parë në Kamëz.
Altin Çoku akuzohet për veprën penale “Shkaktim të vetëvrasjes”, pasi duke e kërcënuar 27-vjeçaren se do t’i publikonte disa foto intime, ka shtyrë këtë të fundit të ndërmarrë aktin e rëndë.
Në gjykatë ai në shumicën e kohës mbante kokën poshtë për t’iu shmangur objektivit të kamerave, dhe vazhdimisht bënte disa lëvizje që shfaqin nervozizëm.
“Foton e nxori shtetasi Haxhia. Mesazhet janë në telefonin e vajzës, të së ndjerës. Shpreh keqardhje për familjen e të ndjerës”, tha ai për gazetarët.
Sibela Abedini i dha fund jetës më 12 shkurt 2024, duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në TikTok.
E reja mësohet se ishte martuar si dhe kishte një vajzë 2 vjeçe, ndërkohë punonte te shtëpia e Altin Çokut si sanitare.
39 vjeçari ka edhe precedentë të mëparshëm dhe rezulton i dënuar nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Ndërkohë kujtojmë se familjarët e së ndjerës kanë deklaruar se vajza në foton e publikuar nuk është Sibela Abedini, por është një fotomontazh.
Ata janë shprehur se në foto është mbivendosur fytyra e 27-vjeçares, pasi duke krahasuar krahun e saj kanë kuptuar se nuk është Sibela, pasi ajo ishte më e dobët.