Duke nisur nga e shtuna qarkullimi në aksin Kukës-Morinë do të devijohet.
Kjo për shkak të punimeve që po bëhen për ‘Urën e Re’, që ka hyrë në fazën e fundit të ndërtimit.
Drejtori i Kantierit të ndërtimit Arian Hoxha sqaron se devijimi do të bëhet për 2 javë, në dy pika të segmentit Kukës-Morinë. Konkretisht, devijimi i lëvizjes do të bëhet te Ura Drinit të Zi – Rruga hyrëse në qytetin e Kukësit dalja për Kosovë në nyjën e Shtiqenit.
Ndërsa për lëvizjen nga Morina në Milot, devijimi i lëvizjes do të bëhet, tek rampa dalëse e mbikalimi tek nyja e re e aeroportit dhe dalja në urën e Drini të Zi.
Ura e Re do të jetë e gatshme në sezonin e ri turistik të kësaj vere dhe është vepra e dytë më e rëndësishme e rrugës së kombit, pas tunelit të Kalimashit.