Kryeministri Albin Kurti ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e vendit dhe në rrugën drejt pavarësisë. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falenderues.
“U jemi falenderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falenderues”, ka thënë Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë.
Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.
“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.
Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë dhe tha se Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.