MENU
klinika

Shqiptari më i kërkuar në botë do ekstradohet nga Turqia

Kush është Dritan Rexhepi, vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri

16.02.2024 - 17:11

Dritan Rexhepi, shqiptari që dyshohet se është ‘koka’ e rrjetit kombëtar të trafikimit të kokainës në Evropë u arrestua në nëntor të 2023 në Stamboll.

Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri.

Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Dritan Rexhepit.

Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent (19 vjeç), ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi policët në një lokal. Dyshohet se ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Gjykata më vonë e dënoi në mungesë për vrasje. Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia evropiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera.

Rexhepi do të arrestohej në vitin 2008 në Holandë për llogari të drejtësisë italiane në lidhje me një dënim për trafik droge. Në vitin 2011 ai arratiset edhe nga burgu i Voghera-s në Itali pasi sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis.

Pas disa muajsh u arrestua në Spanjë si anëtar i një bande të dyshuar për grabitjen e një banke në Barcelonë. Ai nuk u mbajt shumë në qeli atje, por autoritete spanjolle vendosën ta ekstradojnë në Belgjikë ku kërkohej për disa krime të rënda. Rexhepi do të arratisej sërish nga burgu i Antverpit duke u ngjitur mbi një mur.

Herën tjetër që policia e kapi ai ishte në Ekuador në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë. Edhe pse i burgosur, Rexhepi e drejtonte trafikun e kokainës njësoj sikur të ishte në liri nga qelia, përmes një telefoni. Ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë. Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës.

Ndërkohë që ishte në burg në Ekuador në nëntor 2021 kërkoi para lirinë, e njohur si një regjim gjysmë i hapur. Kjo e drejtë, e cila i ishte mohuar në raste të mëparshme, u pranua këtë herë. Sipas kësaj të drejtë ai duhej të qëndronte në Ekuador deri më 26 qershor të vitit 2027, kur i përfundon dënimi për trafik droge, por duke e vuajtur dënimin në liri. Rexhepi, i cili njihet edhe me emrat Lulëzim Murataj ose Edmir Kraja, duhej të paraqitej çdo 15 ditë përpara njësisë së riintegrimit social në Guayaquil. Rexhepi u favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kishte kryer të paktën dy të pestat e dënimit. Gjithashtu, në datën 4 nëntor 2021, përmendet se kapoja shqiptare “ka një sjellje shumë të mirë”, përveç kësaj nuk regjistron tentativë arratisjeje, po ashtu ka edhe një raport pune. Rexhepi kishte siguruar autoritetet se do të jetonte në një apartament në Central Park të Samborondón, 14 kilometra nga Guayaquil. Në këtë kompleks banesash private, një apartament prej 125 m2 mund të kushtojë nga 165 000 USD. Mirëpo, siç thuhet në raport, më 10 shkurt 2022, Rexhepit i është autorizuar ndërrimi i adresës, por adresa e re nuk është e shënuar. A ishte “zhdukur” sërish.

Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin. Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të dallohej nga grupet që operonin në tregun e trafikut ndërkombëtar.
“Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”.

Vrasjet e bujshme në Shqipëri

Dritan Rexhepi në Shqipëri njihet për vrasjen e dy policëve, Arben Keqi e Durim Kasmi ku u dënua me 25 vite burg. Një ngarje e cila ka ndodhur në vitin 1998.

Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu. Fillimisht, ai është arrestuar në 2007 në ambientet e “Hotel Tirana” së bashku me Nadien Zeneli Pas arrestimit është transferuar në Durrës, pasi oficerët e Drejtorisë së Policisë Durrës kishin kryer të gjithë operacionin për zbulimin dhe prangosjen e tij.

Ai nuk iku nga ambientet e komisariatit të policisë Durrës, pasi oficeri Albert Strati dhe zëdhënësja e policisë së Durrësit, e kishin nxjerrë nga dhoma e shoqërimit, për t’i bërë një foto, me qëllim publikimin e lajmit të arrestimit të tij, në shtypin e kohës.

Rexhepi u largua duke përfituar sapo është futur në qeli, ku dera besohet se është lënë hapur nga oficeri Albert Strati. Arratisja ka ndodhur vetëm minuta, kur prokurori Anton Martini dhe oficeri i policisë gjyqësore, Arben Frashëri sapo kishin përfunduar pyetjen e Rrexhepit dhe shokut të tij Nadien Zeneli për vrasjen e dy policëve. Ato ishin larguar drejt Tiranës.

Gjashtë vite pas arratisjes nga komisariati i Durrësit, në 2013, Gramoz Rexhepi, u kap në Itali. Pala shqiptare që ndërkohë po zhvillonte gjyqin në mungesë në Apelin e Krimeve të Rënda kundër Rexhepit për dy vrasjet e policëve, sapo mësoi arrestimin e tij në Itali, menjëherë nëpërmjet një letërporosie të dërguar në Itali, kërkoi njoftimin e këtij personazhi “Foto”, se në Shqipëri po zhvillohej një proces gjyqësor kundër tij.

Në këto rrethana, është proceduar me njoftimin nëpërmjet letër-porosisë drejtuar Autoriteteve të Drejtësisë Italiane. Por ka rezultuar se njoftimi i të dënuarit Gramoz Rexhepi, nuk është bërë e mundur nga Autoritetet Italiane, pasi ishte arratisur nga burgu…”.

Por kjo arratisje e Rrexhepit nga burgu italian të Voghera, nuk ka qenë e fundit. Drejtësia shqiptare ka kërkuar informacion për Dritan Rexhepin në Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit dhe prej kësaj Zyre u zbulua se Dritan Rexhepi pas arratisjes nga burgu në Itali, ishte arrestuar në Spanjë dhe ishte ekstraduar në Belgjikë. Por në një tjetër dokument zbulohet edhe arratisja e tretë e Dritan Rrexhepit:-“…gjatë vuajtjes së dënimit në Belgjikë, Dritan Rexhpei ishte arratisur nga burgu Merksplas, Belgjikë në drejtim të paditur…”.

Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar më gjeneralitetet Lulzim Murataj, në datën 28.11.2011 dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikëkalimi dhe hyrja e fundit e tij, është në datën 16.11.2013. Të dhënat e pasaportës në emër të Lulzim Murataj, përputhen plotësisht me numrat e pasaportës së personit të arrestuar në Ekuador, me emrin Lulzim Murataj…”.

Gramoz Rexhepi, vijon edhe sot të qëndrojë në një burg të sigurisë së lartë në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit. Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal.