MENU
klinika

Çmimet u rritën në ‘stratosferë’

Lufta e Rusisë në Ukrainë ‘goditi’ ekonominë shqiptare

28.02.2024 - 12:47

Ushqime të shtrenjta, energji shumë fish më e kushtueshme, çmim karburanti të dyfishuar, pasiguri për furnizime me mallra, dhe tronditje e stabilitetit ekonomik e financiar. Ky ishte impakti i madh negativ që shkaktoi në ekonominë shqiptare agresioni rus në Ukrainë, që u pasua me çmime stratosferike jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë Evropën. Situata e paqëndrueshme me çmimet, që cenoi të ardhurat e qytetarëve dhe shtrenjtoi jetesën e tyre vijon ende, dy vite pas luftës.

Shtrenjtimi i naftës dhe i energjisë kishte nisur që në ditët e para të vitit 2022, për shkak se në tregjet ndërkombëtare kishin nisur të ndjeheshin tensione Rusi-Ukrainë.

Më 24 shkurt 2022, tregjet e mallrave, e kryesisht të energjisë dhe naftës njohën një kthesë të fortë. Menjëherë pas nisjes së luftës, për shkak edhe të pozitave dominuese që këto dy shtete kanë tek gazi, nafta, energjia por edhe gruri çmimet nisën të rriteshin.

Çmimi i naftës nga 95 dollarë fuçia dy javë pas nisjes së luftës, më 8 mars 2022 arriti kulmin! Një fuçi nafte bruto po tregtohej në bursë me 127 dollarë, gati dyfish më shtrenjtë se përpara agresionit. Kjo luhatje çmimesh në bursë u reflektua menjëherë edhe në tregun vendas, ku çmimi i naftës arriti deri në 270 lekë në mars, që çoi në ndërhyrjen e qeverisë për të stabilizuar çmimet duke ngritur bordin e transparencës që caktoi çmimet për më shumë se një vit.

Më 100 euro u rrit menjëherë çmimi i energjisë në bursë. Nga 120 euro për megavat më 22 shkurt, arriti në mbi 240 euro megavati në 24 shkurt, e që nuk ndaloi së regjistruar rekorde, duke mbërritur kulmin në mbi 1000 euro në 30 gusht 2022. Herë pas here qeveria paralajmëroi caktimin e një fashe energjie për të frenuar konsumin, e pa favorizuar edhe nga mungesa e reshjeve, por në fund të vitit 2022 situata hidrike u përmirësua ndërsa tregjet evropiane po orientoheshin drejt burimeve të tjera për të garantuar furnizim me energji, gaz, naftë apo drithëra.

Brenda pak ditësh pas shpërthimit të luftës, buka qytetarëve po ju kushtonte më shumë! Nga 5 mijë lekë kuintali i miellit, çmimi kapërceu deri në 12 mijë lekë, dhe deri në fund të vitit 2022 qëndroi në vlerën 10 mijë lekë kuintali. E njëjta gjë ndodhi me çmimin e vajit (500 mijë lekë litri), orizit (200 mijë lekë/kg, makaronave dhe produkteve të tjera, të cilat ose bliheshin nga Rusia e Ukraina, ose nga shtete të tjera por që ishin të varura nga tregjet e këtyre dy shteteve. Edhe për mallrat e shportës u ngrit një bord për të kontrolluar çmimet.

E gjithë kjo valë e fortë e shtrenjtimit të çmimeve, solli shifra rekord inflacioni në Shqipëri. Nga 3.9% që ishte inflacioni në shkurt të vitit 2022, arriti në 8.3% në tetor të vitit 2022, ndërsa viti i kaluar u mbyll me inflacion mbi 4%.

Pas goditjes inflacioniste që përfshiu vendin Banka e Shqipërisë njoftoi rritjen e inflacionit nga niveli 0.5% në 1% në 23 mars 2022, me synim frenimin e inflacionit. Por këto vendime kishin pak ose aspak ndikim, në kushtet kur të gjitha tregjet e Evropës e jo vetëm ishin në presion të vazhdueshëm të Rusisë, që shkatërroi me mijëra hektar drithëra të mbjella, e që herë pas here kërcënonte me ndërprerje furnizimi të gazit, dhe ulte sasitë e injektuara.

Kjo luhatje e fortë e çmimeve të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse erdhi për shkak të pozicionit dominues që ka Rusia në furnizimin e Evropës me këto produkte.

Përtej shtrenjtimit galopant, sfidë ishte garantimi i furnizimeve që u vu seriozisht në pikëpyetje gjatë vitit 2022, për këtë arsye qeveria miratoi garancinë sovrane për të gjithë importuesit e produkteve ushqimore dhe bujqësore, në mënyrë që të rriten rezervat.

E gjithë kjo situatë erdhi për shkak se Rusia është vendi kryesor nga ku bliheshin drithëra, pasi 75% të furnizimit me grurë e sigurojmë prej andej, dhe nga ana tjetër ky shtet dominon tregun e gazin natyror që shpërndahet në Evropë, përmes Ukrainës. Ky rol dominues, pati efekt zinxhirë në tregjet e huaja, dhe u shoqërua me norma inflacioni në nivele rekord.