MENU
klinika

Kaosi në Kuvend

Manja: Opozita t’i zgjidhë vetë hallet e saj, “luftë” për interesat e Berishës

05.02.2024 - 23:25

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka folur për situatën e opozitës por edhe për kërkesat e saj për komisione hetimore të cilat po e çojnë në protesta dhe përshkallëzim aksioni.

Sipas ministrit Manja, Kuvendi nuk mund të dublojë funksionet e institucioneve të tjera me komisionet hetimore.

Gjithashtu Manja foli për komisionin e reformës zgjedhore ku tha se nuk e përcakton opozita se kush do të jetë pjesë e komisionit.

“Këto zhvillohen brenda gardhit të opozitës, nuk është përgjegjësi e mazhorancës. Është një komision i reformës zgjedhore, mazhoranca ka vetëm një detyrë, të paraqitet për të adresuar problematikat ose rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nuk i kërkohet mazhorancës kush është njëri, kush është tjetri. Sa për komisionet hetimore është një diskutim i gjatë. Sot nuk është vendi për të bërë interpretime nenit. Shumica ka të drejtë të garantojë ngritjen e komisioneve hetimore. Duhet të jetë brenda funksionit të ligjvënësit. Çështja duhet të jetë brenda funksioneve legjislative, objekti i veçantë i komisionit, duhet të jenë të dhënat fakte dhe indice për ta ngritur këtë komision hetimor. Nëse i marrim të shkëputura, e kthejmë kuvendin në një super organ. Edhe Kuvendi ka kufizimet e veta, të 8 komisionet që ka marrë opozita, kanë marrë një përgjigje nga ana jonë. Kuvendi vërtetë e ka këtë funksion, por nuk mund të dublojë veprimtarinë e pushteteve të tjera”, tha Manja.

Për Ministrin e Drejtësisë, kauza e opozitës është ajo e interesave personale të Sali Berishës.

Manja ka akuzuar se është pikërisht kaosi që krijon opozita që nuk lejon funksionimin e Parlamentit, duke përfshirë këtu edhe funksionimin e komisioneve hetimore dhe komisionit të reformës zgjedhore.

“Tre kërkesa të opozitës, po këtë të tretën nuk e kuptoj; PS të mos fusë hundët në PD?! Një kërkesë që s’ka kuptim që të bëhet sepse ne nuk hyjmë në gardhin e tyre, punët e brendshme ata i zgjidhin vetë me njëri-tjetrin.

Për komisionet hetimore dhe bashkëkryesimin e Reformës Zgjedhore të gjitha rrugët të çojnë në Parlament. Ndërkohë që Parlamenti u bë disa kohë që nuk është në qetësi. Një grup, dy grupe, disa grupe… këtë e vërteton edhe protesta e sotme që në përfundim të saj Bardhi shkojë poshtë banesës së Berishës i cili është një një proçes me drejtësinë. Kauza e opozitës është kundër drejtësisë. Kërkojmë drejtësi për Sali Berishën, thotë opozita. Dhe sot unë nuk pash gjë tjetër veçse kërkojmë drejtësi për Sali Berishën”, tha Manja në Top Channel.