MENU
klinika

Rrëfimi

Mexhit Stafasani: Si e njoha në gjithë karrierën time çdo shkollë të Matit

23.02.2024 - 17:38

Kilometri 6, në Burgajet. Kam ndaluar në shtëpinë e një arsimtari me zë të madh atyre fiseve.

Kaluam rrugën kryesore, dhe pas disa kthesave pamë shtëpinë e tij. Dukej e zhytur tërësisht mes pemëve. Ishte nga ato të moçmet, kullat dykatëshe me dritare të vogla.

E kishim lajmëruar që po shkonim, por se dinte se kush ishim, dhe pse.

Mbërrijmë në bahçen e gjebër rrotull shihje vetëm pemë fiku. Së pari takojmë të birin, vetë ai, mësonjësi i nderuar po merrej diku me bagëtinë.  Mund ta shquaja dhe me sy. Pak tokë dhe një gardh i vogël na ndante. M’at anë gardhit na përshëndeti dhe me dorë na tregoi ta prisnim. Rehatin e kishim aty ndër ato hije. Ishte një pasdite e bukur. Nga ata që mund tu shijosh pak freski të munguar vere, të cilën e gjen në rrallë vende.

Por, kisha një dëshirë të shkonim atje, do ishte mirë mos ta kishim shkëputur. Megjithatë, i biri shkoi ta zëvendësonte dhe erdhi. Na priti me nderimet më të mëdha.

77-vjeçar, por të gjithë më thonin që nuk ka ndryshuar kurrë, këtu e kusur 30 vite, a mos më shumë. Ai punonte me të njëjtën fuqi, e mbase puna e mbante ashtu të fortë, ende i paprekur nga lodhja e të plakurit.

Unë iu drejtova, duke iu referuar si një mësues. Dhe rreptë mu përgjigj: Nuk ka Mati mësues! Mati ka arsimtarë.

Mexhit Stafasani nuk do të lejonte as ta pyesje se përse zgjedh të bëjë një diferencë mes të qenurit mësues apo arsimtar. Mati për të, është djep dije.

Ai vetë vjen nga një familje e arsimuar ndër breza, intelektualësh.

11 muaj pas datës 31 Mars të vitit 1942, Mexhiti mbetej jetim nga nëna. Por, u rrit në një familje të ngrohtë të madhe, prej 14 anëtarësh, me në kokë njerkën e babait.

Kaluan vitet shpejt, shpejt kalojnë kur pret diçka, por kur erdhi koha të niste klasën e parë, e gjeti veten të pamundur.  Më rrëfente, që e braktisi, derisa u bë sebep një nga mësueset ta vazhdonte. Dhe për të abetarja nisi në shkronjën ‘M’. Kështu vijoi deri në klasë të 4-të, mësonte në një nga shkollat në kodër të Sarajt’ (bëhet fjalë për sarajet e mbretit Zog, shtëpia e tij është vtm pak minuta larg sarajeve të dikurshme, ku sot nuk ka asgje, veçse një kodër.)

Në klasën e 4-të, Mexhiti fitoi një bursë për jetimët, për në Shkodër, ku shkoi të studionte për vitet e ardhshme. Madje më tregon se në klasë kishte edhe aktoren e njohur Roza Anagnostin.

Nga Mati në Shkodër, më këmbë. Nuk kishte transport. “Ndaloja njëherë në Lezhë, flija një natë diku andej, ose në Rrëshen, pastaj nisesha prapë derisa të arrija.”

Vazhdonin të mos kishin mundësi, për sigurimin e jetesës. Si ndryshe… veçse me shprehi mërzie, do më tregonte se hanin bukë kallamoqi të mykur. Me fat, që shteti mund të siguronte pjesërisht veshmbathje dhe librat.

Pas klasës së 7-të, doli një tjetër bursë për në Tiranë në shkollën 17-Nëntori. Mirëpo, thotë Mexhiti, kjo shkollë ishte për femra. E u transferuam sërish në Shkodër me Ushtaraken.

Kalojnë kto vite me mundim, dhe pas përfundimit të shkollës kthehem në Burgajet.

Nisja e tij ishte me sukses, një mësues filloreje, ndonëse në fshatra të largët, por edhe kjo duhej të ndërpritej… kërkuan të vijontë ushtrinë. Tashmë Mexhiti, më thotë se e kishte pak të vështirë se edhe ishte martuar, i duhej të largohej për disa kohë. Pas kthimit nga ushtria situata u ndërlikua.

Më herët, kishte ndodhur diçka që Mexhitit, prej këtu, i kishte krijuar pengesa të herë pas hershme. Babai i tij kishte tentuar vetëvrasje, e duke qenë se ishte dhe anëtar partie e kishin dënuar me 15 vite heqje lirie.

“Kisha shkruar letra të gjithë atyre që kishin në dorë ndonjë favorizim për tim atë, ai ishte dhe i sëmurë, dhe bëja disa kërkesa për ulje dënimi”

Një ditë, pas shumë kërkesave të tilla, Mexhiti shprehet se aty mori kthesë jeta e tij, pasi dikush i ka çuar fjalë të takojë sekretarin e I-rë.

Këtë bisedë kishte dëshirë ta tregonte mjaft.

“Më pyeti: Nga je ti?, -Nga Burgajeti i përgjigjem shkurt, dhe i tregova ngjarjen e babait.

Ç’punë bën? – I thashë se punoj murator në kooperativë, nuk km specializim për këtë.

Më pyet përsëri, si i pabindur: Çfarë arsimi ke?

Pa qenë nevoja të përgjigjesha unë, kryetari i Këshillit të qytetit, i pranishëm në takim i thotë se kam qenë arsimtar. Por, prej situatës së babait, pasi kreu ushtrinë, është në kooperativë.”

“-Nesër është e dielë. Të hënën të jetë në punë arsimtar”, ky ishte urdhër që do t’i hapte sërish dritën jeshile. Mexhiti më tha duke qeshur, po dhe i frikësuar se mos i ikte çështja e babit, vazhdonte përsëriste, “kam ardhur për babain, jo për vete.”

Pastaj, Mexhiti nisi të më rendiste hapat që kryetari e kishte udhëzuar të ndiqte, për babain.

Përveç kësaj, ai po më rrëfente tani se ishte në dilemë nëse duhet ta pranonte punën që do ti ofrohej. Dihej që do të ishte shumë larg dhe me shumë gjasa nuk do të mund të kthehej në shtëpi.

Vjen dita e madhe dhe duke lëshuar dhe dorën mbi tavolinë me forcë e i zhgënjyer më tha: “Më kishin emëruar në një shkollë në Xibër-Murriz, në kufi me Bastarin e Tiranës.”

Duhej të vendoste të shkonte, të futej sërish në udhën e mësimdhënies, fundja kjo largësi mund të mos zgjaste shumë. Ndonëse i duhej të bënte orë të tëra rrugë. Në shtëpi kthehej vetëm fundjavave.

Shkoi një vit në grykat e atyre maleve. Dhe pas një kontrolli, klasat e Mexhitit dolën mjaft mirë. U vendos të afrohej në shkollat më të afërta. Njëlloj dhe tanimë do i duhej të ecte për rreth orë. Jo pak, por ishte më mirë se çdo herë më parë.

Ju kujtoj se kishin kaluar plot 7 vite, 3 muaj e 15 dite prej dënimit të babait, kur ai ndërroi jetë.

I ati,vdiq pa e marrë testën e frontit. Për të nuk kishte më rëndësi, por për Mexhitin, mjaft shumë. Për këtë shkak i kishin cënuar shumë të drejta.

Njëherë më thotë kishin gati emrin t’i jepnin titullin “Mësues i merituar”, …nuk ndodhi, sapo morën vesh motivet politike.

Ndonëse i lodhur nga ky fakt, prapë krenar që ka punuar kaq shumë, më pohon se gjithë fshatrat e Matit i kishte shkelur me këmbë. Thuajse kishte punuar në çdo shkollë. Kështu derisa doli në pension.

Më interesonte të dija, se si pas kaq shumë vuajtjesh, që secila prej tyre në fakt nëse vihet re janë prej rregullave të pathyeshme të një sistemi totalitar. Doja të dija si festoi ai në ’91-in.

E besoj kur më thotë, se gjthnjë ishte rritur me frymën e lirisë, dhe me idenë që komunizmi ishte një sistem diktatorial. E besoj ende më shumë kur e lë bisedën në mes dhe futet brenda në kullën e tij. Vonon disa minuta dhe kthehet kaq i kënaqur me një shkresë në dorë që mbante firmën e Sali Berishës dhe Azem Hajdarit.

“Që në 8 Janar të 1991-it, kam aderuar në PD unë, jam rritur me frymën demokratike.”

Për të më ilustruar këtë më tregon një nga bisedat e të atit, në një natë kur kishin pirë me të tjerë dhe pa treguar detajet e bisedës, më rrëfen një fjali ku ai thotë: “Çmë duhet mua çfarë vesh ti? Të kuqe(personifikim i ideve), apo tjetër. Atë kërkoje në Ëashington, Londër e Paris se këtu nuk e gjen. Të nesërmen e kishte pyetur njëri nga ata me të cilin ndau natën: Ç’ishte ajo fjalë mbrëmë? Dhe im atë i përgjigjet: Ku di unë çfarë kam folur mbrëmë… Tjetri ia kthen të parit: Kërko…kërko se po e gjen…”

Të tilla biseda përsëriteshin herë pas here, më rrëfeu duke kërkuar të më bindë, që dhe asokohe flitej ndonëse muret kishin veshë.

Kështu sot rrinte në kullën tij me sytë nga sarajet, me shije kujtimesh./ Bionelda Skonja

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët