MENU
klinika

"Vendimi për dinarin duhet të…"

Nazarko: Kurti krijon kriza, më pas kërkon ndërhyrjen ndërkombëtare

09.02.2024 - 18:22

Analisti Mentor Nazarko komentoi vendimin për të ndaluar nga qarkullimi përdorimin e dinarit serb në Kosovë, çështje që ka shkaktuar debat kohët e fundit dhe që u ‘transferua’ edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Aleksandër Vuçiç, e cilësoi si një sulm të qeverisë Kurti ndaj popullatës serbe.

I ftuar në emisionin “Ballkan Update”, analisti u shpreh se Kurti ka tendencë që të krijojë kriza, që për t’i zgjidhur më pas, kërkon ndërhyrjen ndërkombëtare. Nazarko thotë se qeveria Kurti duhet ta ndërmerrte veprimin e dinarit që të kufizonte ndërhyrjen e Serbisë në veri që në fillim të mandatit në vitin 2021.

“Së pari, për të qenë preciz Kurti u detyrua që ta rriste nivelin e përfaqësimit për shkak se atje shkonte Vuçiç. Së dyti, ky veprim i dinarit i mbahem pikëpamjes se nëse ka pasur ndonjë veprim të fortë ndërhyrës, sovranist, që do të kufizonte ndërhyrjen e Serbisë në veri do të duhej të ishte ekzaktësisht dinari por që në fillim të mandatit të vitit 2021 nga ana e qeverisë Kurti.

Natyrisht me një kohë të duhur për të përgatitur qytetarët serbë. Pse dinari? Sepse do të kontrollonte fluksin e parave që vjen nga Serbia drejt veriut të Kosovës për qëllime të ligjshme apo të paligjshme. Kurti, siç e ka bërë të zakonshme, krijon një krizë dhe investon në zgjidhjen e saj të gjithë bashkësinë perëndimore. Merr kohën e duhur, është në qendër të vëmendjes, e përdor për të rritur kuotat e veta elektorale dhe në rastin konkret, ai pretendon por natyrisht do të lëshohet në momentin e fundit, që kjo periudha një mujore që ndan pagesën e rrogave dhe kontributeve sociale, pra fundi i janarit me fundin e shkurtit, të jetë koha e mjaftueshme që sipas tij, do të jetë për edukimin e qytetarëve.

Në fakt, qasja perëndimore ka dy pista. E para, që çështja e dinarit duhet të zgjidhet, pra çështja e financimit të Serbisë për qytetarët me kombësi serbe duhet të zgjidhet në kuadër të asociacionit. Pra, asociacioni do të ishte kanali legal ku do të vinin këto para. Së dyti, ka një qasje shumë humane. Vendoseni veten në pozitën e një qytetari të Kosovës me kombësi serbe, i cili do të marrë pensionin. Përgjigjuni hallit të qytetarëve. Kjo ka qenë qasja perëndimore. Kurti do të investojë tërë vëmendjen ndërkombëtare tek ai, të rrisë tensionin dhe pastaj ta zgjidhë ai krizën siç ka bërë më parë.”, u shpreh Nazarko./abcnews.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Albini dhe Edi, dy parazitë të vegjël ballkanikë"

Shpëtim Nazarko: Serbia po na shet grurë që hanë kuajt!