MENU
klinika

“Escobar detyroi delegacionet PS-PD të ishin bashkë”

Nazarko: Mesazhet që ka marrë Bardhi në SHBA

01.02.2024 - 20:58

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka detyruar delegacionet e PS dhe PD të ishin bashkë në Uashington. Kështu u shpreh analisti Mentor Nazarko në “News Line” në ABC News.

Ai komentoi për vizitën e Gazment Bardhit në SHBA dhe lëvizjet politike, të cilat mund të reflektohen prej tij pas kthimit në Shqipëri.

Sipas Nazarkos, kjo vizitë do ta ndihmojë Bardhin për të parë se ku synojnë Shtetet Bashkuara të Amerikës, në raport me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike.

“Gabriel Escobar detyroi që delegacionet PS-PD në SHBA të ishin bashkë. Bardhi është I favorizuar edhe nga kredencialet që i japin paritë aleate, ata e shohin Bardhin si një figurë unifikuese, në një grupim të përkohshëm të së djathtës, që ato e quajnë federata. Ai duket se bashkon më shumë se Basha dhe shumë më shumë se Berisha. Nga këndvështrimi elektoral, a është Bardhi që ushtron tërheqje elektorale tek e djathta? Kjo është me pikëpyetje. Unë nuk e shoh kështu. Ai ka kultivuar një identitet, i cili është i ndryshëm nga ai i Berishës. Mesazhet që ai ka marrë nga SHBA, do ta ndihmojnë të qartësohet se ku rrahin dhe ku tentojnë SHBA. Pres që ai të demonstrojë vendosmëri, por nuk jam i sigurt se ai prodhon vota”, tha ai.

Ai analizoi edhe një temë tjetër, e cila lidhet me Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, i cili ka miratuar në mbledhjen online kalendarin e punimeve, por sërish ky komision nuk ka konsensusin e kërkuar nga ndërkombëtarët dhe OSBE-ODIHR. Sipas Nazarkos, opozita duhet të jetë më e interesuar për të çuar para kërkesat e saj, pasi PS-ja është më komode në këtë pikë.

“Në pikëpamjen kushtetues, qoftë KQZ, qoftë PS, që është parti e shumicës janë brenda parametrave kushtetuese, nëse i zhvillojnë zgjedhjet në zbatim të Kodit ekzistues zgjedhor. Nëse palët opozitare nëse nuk arrijnë të gjetën një emërues të përbashkët për të çuar para propozimet, shumica është në të drejtën e vet që të shkojë në zgjedhje me Kodin aktual. Ka një standard, që është standardi kushtetues, dhe ai respektohet nga KQZ, dhe PS.”, tha ai.

Ai shtoi se Kodi Zgjedhor aktual është reaksionar, pasi lë jashtë loje forcat e reja, të cilat synojnë të hyjnë në beteja elektorale.

“Ka një standard tjetër, që është politik, që çdo ndryshim të jetë me konsensus politik. Nëse palët nuk bien dakord, PS është brenda të drejtës së vet dhe ky është një kod zgjedhor, i cili favorizon dy partitë e mëdha dhe aq më tepër PS. Është një kod raksionar në gjykimin tim, sepse nuk lejon hyrjen në skenë të lëvizjeve të reja politike. E mban skenën politike të kontrolluar vetëm nga dy partitë e mëdha.”, tha Nazarko./ n.m.abcnews.al